Durrës, fëmijët mësim për tërmetin/ Sot mësimi nisi me një simulim të një situate emergjence

14/10/2021 15:23

Tërmetet nuk mund të parashikohen, ndaj njohja e mënyrës së reagimit në rast emergjence është e shumë e rëndësishme.

Për nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës, dita e mësimit nisi me një simulim situatash për reagimin gjatë dhe pas tërmetit.

Nxënës e mësues kanë diskutuar me specialistë mbi planin e mbrojtjes dhe daljet emergjente në rast tërmeti a zjarri, duke theksuar se evakuimi bëhet në varësi të specifikave teknike të godinave shkollore. Në kushtet e panikut dhe emergjencës zbatimi i rregullave bazë është i domosdoshëm për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore me sa më pak pasoja.

“Ne mësuam se si reagojmë ne dhe se si duhet të veprojmë në raste fatkeqësish si tërmeti e zjarri”.
“Ia vlen që i mësuam këto në shkollë se do të na duhen në jetën reale”.
“Hapi i parë në rast fatkeqësie është të mos panikosemi. Të mendojmë dhe veprojmë siç duhet që të ndihmojmë dhe veten tonë dhe të tjerët nëse është nevoja”.

Dy vjet më parë, qyteti dhe rrethinat e tij përjetuan lëkundje të forta sizmike, me pasoja tragjike. Ndonëse zonë sizmike, planet e mbrojtjes së nxënësve dhe të evakuimit nisën të aktivizohen vetëm pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit 2019.

Top Channel