Danimarka skuadra e dytë që kualifikohet zyrtarisht në Botëror, Anglia ngec ndaj Hungarisë!

13/10/2021 00:44

Danimarka është skuadra e dytë europiane pas Gjermanisë që siguroi zyrtarisht biletën për në Kupën e Botës Katar 2022. 8 ndeshje dhe 8 fitore në grupin F për gjysmëfinalistët e Euro 2020 të cilët konfirmuan momentin e shkëlqyer që po kalojnë duke trimfuar minimalisht 1-0 edhe ndaj Austrisë dhe dy ndeshje para fundit të eliminatoreve kanë 7 pikë avantazh nga Skocia e vendit të dytë.

Goli i futbollistit të Atalantës Maehle në minutën e 53-të vendosi fatet e këtij takimi me danezët që tashmë mund të festojnë një kualifikim të merituar. Në ndeshjet e tjera të këtij grupi Izraeli mposhti 2-1 Moldavinë me golat e Eran Zahavit dhe Munas Dabbur, ndërkohë që Skocia blindoi vendin e dytë me suksesin minimal 0-1 me një gol të Dykes 5 minuta para fundit në transfertën ndaj Ishujve Faroe. Në grupin I ku bën pjesë edhe Shqipëria, surprizoi Hungaria që ndali Anglinë brenda në Wembley në barazim 1-1, barazim që gjithsesi i afron anglezët me kualifikimin në Katar 2022.

Të dy golat u realizuan në pjesën e parë me John Stones që iu kundërpërgjigj golit të hungarezëve të shënuar nga Sallai me penallti. Në ndeshjen mes dy më të dobëtave të grupit, triumfoi sërish Andorra që fitoi 0-3 në transfertën ndaj San Marinos. Në grupin C, do të jetë një finale sfida e muajit të ardhshëm mes Italisë dhe Zvicrës pasi helvetët bënë detyrën edhe në transfertën ndaj Lituanisë duke triumfuar 0-4 dhe duke barazuar të kaltrit në kuotën e 14 pikëve me skuadrën e Mancinit që kryeson në sajë të goleavarazhit më të mirë. Embolo dy herë, Renato Steffen dhe Gavranovic ishin autorët e golave për skuadrën e Murat Yakin me Xherdan Shaqiri që spikati me dy asiste. Në sfidën tjetër të këtij grupi Bullgaria përmbysi Irlandën e Veriut falë dygolëshit të Nedelev duke fituar 2-1.

Në grupin A bënë detyrën Portugalia dhe Serbia me ballkanasit që vazhdojnë të kryesojnë me 17 pikë por kanë luajtur një ndeshje se luzitanët. Serbët mposhtën 3-1 Azerbajxhanin e Giani De Biasit falë dy golave të Dusan Vlahovic dhe rrjetës së Dusan Tadic. Dhuroi spektakël Portugalia që kaloi me shifrat e thella 5-0 Luksemburgun me Cristiano Ronaldon që shënoi një tregolësh dy prej tyre me penallti duke rritur numrin e finalizimeve në 115 gola me kombëtaren portugeze, dy golat e tjerë u realizuan nga Bruno Fernandes dhe Pahilinha.

Në grupin B ku bën pjesë edhe Kosova mori kreun me 15 pikë Suedia që mposhti në shtëpi 2-0 Greqinë me golat e Forsberg me penallti dhe Isak. Në grupin D ruajti vendin e dytë Ukraina falë barazimit 1-1 ndaj Bosnje Hercegovinën i 6-ti në 7 takime për verdheblutë, me Ahmethodzic që barazoi golin e Yarmolenkos duke u dhënë një pikë me vlerë ballkanasve që mbeten në garë për play-offin, ndërkohë që Finlanda triumfoi 0-2 në Kazakistan falë dygolëshit të Pukkit.

Top Channel