Bërnabiç, thirrje për ndërhyrje në veri/ Kurti: Nuk ju le njeri të bëni si të doni!

13/10/2021 14:14

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic ftoi bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë pas aksionit të policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandës në disa pjesë të vendit, përfshirë edhe komunat veriore.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalojnë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, deklaroi shefja e ekzekutivit serb përmes një deklarate për shtyp.

Por Kurti e bëri të qartë se “kontrabanda do të luftohet e do të parandalohet” dhe i kërkoi qytetarëve të mos “bien pre” e disa raportimeve të “disa mediave në Serbi”, që sipas tij duan ta politizojnë aksionin, e t`i japin karakteri etnik. “Këto veprime policore janë paraprirë nga hetime intensive dhe janë kryer me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, sqaroi kryeministri.

Aksioni i policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave u kundërshtua nga qytetarët në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan – komuna të banuara me shumicë serbe –të cilët lëshuan sende të forta kundër policisë, e dogjën dhe një automjet të saj, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës.

Top Channel