Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, doli nga salla e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, pak pasi kishte hyrë kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, i cili kërkoi që Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të raportonin ndaras para Komisionit.
Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se mbledhja e 12 tetorit është kerkuar për të raportuar rreth operacionit në veri të Kosovës ditë më parë, kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë masën e reciprocitetet për targat e makinave të regjistruara në Serbi. Ai pretendon se ministri Sveçla ka kryer shkelje në menaxhim të situatës në veri të Kosovës.
Pas Sveçlës sallën e lanë edhe disa anëtarë tjerë të Komisionit. Në 20 shtator Qeveria e Kosovës mori vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës. Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – u bllokuan nga banorët lokalë që e kundërshtonin vendimin për reciprocitet.
Atje më pas u vendosen njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Por, përmes një marrëveshjeje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 30 shtator, palët janë pajtuar për shtensionim të situatës në veri dhe heqje të barrikadave të serbëve lokalë, ashtu si edhe të njësiteve speciale.
Top Channel