Basha tregon pse shkarkoi Nokën: Partia nuk është peng e agjendave personale

12/10/2021 15:07

Lulzim Basha sqaroi arsyet të cilat e shtynë t’i komunikojë me telefon Flamur Nokës paralajmërimin për përjashtim nga grupi demokrat dhe shkarkimin nga komisioni parlamentar i Sigurisë.   

Basha: Zoti Noka i kam komunikuar shkarkimin e tij nga detyra, si kryetar i Komisionit të Sigurisë, nuk e kam përjashtuar, por e kam paralajmëruar. Sepse nuk mundet që Partia Demokratike, që ka kundërshtar dhe armik, armikun e shqiptarëve Edi Ramën dhe regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë kryesore si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi në të gjitha format dhe mënyrat.  Prandaj, shtrembërime të tilla nuk do të tolerohen.

Pa përmendur emra Lulzim Basha  sulmoi ish zyrtarë të qeverisjes  Berisha duke  lënë të hapur mundësinë e ndarjes perfundimtare me   ta nëse e sfidojnë hapur.

Basha: A ka patur llum në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike? Padiskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dal dot ta pastrojmë. Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon se do ta kthej Partinë Demokratike në bunker për interesat e veta personale, që do të ndryshojë orientimin tonë Euro-atlantik, apo që do të thyej vendosmërinë time për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij dhe bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes tonë, e ka shumë gabim.

Pas shkarkimit nga funksioni, Flamur Noka  akuzoi Lulzim Bashën si “peng” të  Edi Rames që përçan dhe përjashton demokratët. Kolegët e parë që i dolën në krah deputetit rebel ishin Tritan Shehu, Albana Vokshi dhe  Edmond Spaho,  të cilët në  rrjetet sociale u  rreshtuan kundër  vendimmarrjes së kryetarit të PD.

Top Channel