Në grupin E Belgjika duhet të presë ende për të siguruar matematikisht kualifikimin në Botërorin aziatik pasi Uellsi ja doli të fitonte minimalisht në transfertën ndaj Estonisë dhe 2 raunde para fundit të fushatës kualifikuese e sheh veten -5 pikë nga kreu me një ndeshje për të luajtur ndaj belgëve në Britaninë e Madhe muajin e ardhshëm.

Transfertën në Tallinn për Uellsin e vendosi një gol i hershëm i realizuar nga sulmuesi i Cardiff City Kieffer Moore në minutën e 12-të pas asistit të Aron Ramsey. 11 pikë po aq sa Uellsi në këtë grup ka edhe Republika Çeke që triumfoi pastër 0-2 në fushën asnjanëse Central Stadium në qytetin e Kazan në Rusi ndaj Bjellorusisë.

Patrick Schik në pjesën e parë dhe Hlozek në fraksionin e dytë i dhanë fitoren Çekisë që ka zhvilluar një ndeshje më shumë se Uellsi por në sajë të goleavarazhit më të mirë mban vendin e dytë për momentin. Në grupin H bëri vetëvrasje Kroacia që barazoi 2-2 ndaj Sllovakisë në Zagreb duke humbur vendin e parë për momentin që tashmë i takon Rusisë. Schranz në minutën e 20-të shënoi me kokë pas krosimit të Hamskik nga goditja standarte golin që zhbllokoi shifrat. Kroatët reaguan shpejt dhe barazuan shifrat me Kramaric 5 minuta më vonë. Por atëherë kur nuk e prisnin u ndëshkuan nga Haraslin në minutën e 45-të.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë Kroacia u ndal nga shtylla pas tentativës së Kramaric ndërkohë që golin e barazimit e gjeti me Luka Modric në minutën e 71-të, me kapitenin që shënoi direkt nga goditja standarte, edhe me pak fat pasi muri i sllovakëve u hap në momentin e fundit. Në minutën e 83-të kroatëve iu anulua një gol nga var për pozicion jashtë lojë i Nikola Vlasic. Me këtë barazim Kroacia u ngjit në kuotën e 17 pikëve, ndërkohë që në krye të grupit tashmë është Rusia me 19 pikë që mori një fitore të madhe në transfertën ndaj Sllovenisë me shifrat 1-2.

Golat e dy qëndërmbrojtësve Diveyev e Dzhikiya në 32 minutat e para i dhanë avantazhin e dyfishtë rusëve, ndërkohë që Ilicic në të 40-ën rihapi sfidën por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Barazim 2-2 në limite në sfidën tjetër të këtij grupi mes Qipros dhe Maltës me ishullorët që rrëmbyen një pikë me vlerë falë golit të Degabrieles në minutën e 98-të.

Top Channel