Pesë shtetas që dyshohet se po përgatisnin akte terroriste një ditë më parë u arrestuan në Kosovë.
Operacioni policor ka vazhduar edhe këtë të hënë. Policia njofton se ka kontrolluar në disa vende të dyshimta dhe ka gjetur një sasi të madhe armatimesh, duke përfshirë armë automatike të llojeve të ndryshme, municion, granata dore dhe pajisje të tjera.
“Ky aksion është në vazhdën e veprimeve të ndërmarra gjatë ditës së djeshme në rajonin e Pejës dhe Prizrenit, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar si dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, eksplozivit dhe parave të gatshme”, njofton policia e Kosovës.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ndaluarit kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” si dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Top Channel