Flet Glik para ndeshjes: Shqipëria ka grup të fortë, ndaj Manajt ishte penallti

11/10/2021 23:34

Mbrojtësi veteran Kamil Glik ishte në krah të trajnerit Paulo Sousa, në konferencën për shtyp të përfaqësueses polake, ku vlerësoi Shqipërinë dhe deklaroi se do të luajnë për të marrë tre pikët nesër në “Air Albania”.

Luani ndaj një skuadre me shumë lojtarë të Serisë A. Sa e vështirë do të jetë nesër?
Jo vetëm lojtarët, por dhe trajneri është italian çka ka sjellë cilësi te skuadra e Shqipërisë. Duhet të përballemi me këto cilësi sa më mirë të jetë e mundur në ndeshjen e të martës.

Çfarë përshtypjesh ju la Shqipëria në ndeshjen e parë dhe çfarë duhet të bëni më shumë nesër?
Shqipëria pësoi katër gola në ndeshjen e parë, gjë që është shumë e rrallë për ta dhe jam i sigurt që nuk do të përsëritet dot nesër. Çdo ndeshje ka historinë e saj dhe ne jemi gati të përballemi me ta nesër, për t’u marrë mesfushën dhe për të pasur kontrollin e lojës.

Trajneri Sousa ka thënë se duhet të sulmojmë, për të mos e marrë iniciativën Shqipëria…
Ajo që përcakton trajneri është e detyrueshme të zbatohet nga ne lojtarët në fushë, por të gjithë e dimë që loja ka fazat e saj dhe në momente të caktuara është e nevojshme një tërheqje taktike. Megjithatë ne do të përpiqemi të marrim tre pikët në ndeshjen e nesërme.

Në tre edicionet e fundit e kemi pasur më të lehët kualifikimin, ndërsa tani situata është mjaft e komplikuar…
Kemi në përbërje një grup lojtarësh me shumë përvojë dhe do të përpiqemi ta shfrytëzojmë këtë edhe në ndeshjen e nesërme për të bërë më të mirën. Kemi pak më shumë presion, por nuk na streson, madje përkundrazi na frymëzon për të dhënë diçka ekstra në fushë.

Si është gjendja fizike e juaja para kësaj ndeshjeje?
Jam shumë mirë dhe prej të enjtes jam vënë në dispozicion të plotë të trajnerit dhe ekipit. Nuk kam asnjë problem.

Jeni akuzuar për gjeste raciste në ndeshjen ndaj Anglisë…
Nuk ka pasur gjeste raciste nga ana ime. Federata po punon me UEFA-n dhe them se çështja do pushohet shumë shpejt.

Cilit prej futbollistëve shqiptarë i druheni më shumë dhe mund ta veçoni si më të rrezikshëm?
Nuk do të veçoja një lojtarë të vetëm, pasi ata veprojnë si ekip, veçanërisht në mbrojtje, ku lëvizin në bllok dhe përpiqen të zbresin shpejt në kundërsulm. Bashkëpunimi i mirë me njëri-tjetrin i bën ata vërtetë të rrezikshëm.

Një koment për ndërhyrjen ndaj Manajt, që u konsiderua penallti, por VAR-i nuk ndërhyri…
E kam thënë edhe pas ndeshjes në Varshavë, që ishte penallti e pastër, por arbitri nuk ndërhyri. Unë nuk i shmangem përgjegjësisë dhe e pranoj që ishte penallti.

Top Channel