Ambasadori britanik jep intervistën e parë për “Zona Zero”/ Sqaron artikullin e “The Sun” dhe çfarë do të ndodhë me shqiptarët që futen në “Shtëpitë e Barit” në Britani

11/10/2021 21:33

Ambasadori i ri britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith ka dhënë intervistën e parë për mediet, në “Zero Zero” në Top News, ku ka theksuar se Britania synon thellimin e aleancës me aleatë të afërt si Shqipëria.

Ministrja jonë e re e jashtme dëshiron që të thellojmë marrëdhëniet veçanërisht me aleatë të afërt si Shqipëria ku ne punojmë bashkë veçanërisht në OKB, ku edhe Shqipëria do ti bashkohet Këshillit të Sigurimit, në NATO, por edhe të rrisim bashkëpunimin tonë ekonomik, kulturor dhe një sërë tjetër marrëdhëniesh. Prandaj Ministri ynë për Evropën do të vijë në Shqipëri këtë javë në mënyrë që të diskutojë me qeverinë dhe politikanët dhe parlamentin se si ne mund të mbështesim Shqipërinë më mirë dhe të sjellim më të mirat e vendeve tona së bashku”.

Ambasadori King-Smith shprehet i kënaqur që vjen sërish në Shqipëri.

Për mua është mënyra se si shqiptarët më kanë mirëpritur, fillimisht kur po mësoja shqip këtu, por gjithashtu edhe gjatë muajit tim të parë këtu, të vizitoj vendin edhe të shoh vendin fantastik që keni dhe se sa mikpritës janë shqiptarët”.

Gazetarja Jona Mançellari ne pyeti ambasadorin dhe për artikullin e “The Sun”, ku shkruhej se në vendin tonë do të ndërtohet një kamp refugjatësh, ndërsa ai foli vetëm për fakte të pasakta.

Ndonjëherë media, edhe në Mbretërinë e Bashkuar, nuk i paraqesin faktet e sakta. Edhe këtu sigurisht që ka çështje të cilat dalin në dritë ndonjëherë me jo shumë saktësi. Ne kemi një marrëdhënie të gjerë me Shqipërinë ku ne diskutojmë një sërë çështjesh, por nuk ka ndonjë marrëveshje për të pasur një qendër të procedimit të kërkesave për azil në Shqipëri”.

I pyetur se çfarë mendimi ka për politikanët shqiptarë që në këto 30 vite ka pasur mundësi ta ndjekë nga afër, King-Smith habit me përgjigjen:

Mendoj se politikanët tuaj janë porsi njerëzit tuaj, shumë të ngrohtë dhe mikpritës, shumë njerëz kanë ardhur të më përshëndesin dhe kë kanë ftuar t’i takoj por sigurisht politikanët tuaj kanë një përgjegjësi të madhe që është të ndihmojnë njerëzit në Shqipëri të arrijnë potencialin e tyre edhe kjo është diçka e cila është thelbësore për të parë se si mund të mbështesim; si politika mbështet njerëzit”.

Gazetarja Mançellari nuk la pa përmendur as faktin se shumë të rinj shqiptar udhëtojnë në mënyrë legale ose ilegale drejt Mbretërisë së Bashkuar për t’u punësuar në “Shtëpitë e Barit”. Ambasadori tregon se për këtë temë është takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe po punohet për të parandaluar afrimin e shqiptarëve drejt këtyre grupeve kriminale.

Kjo është diçka që e kam diskutuar me kryeministrin këtë javë. Sigurisht që ka të rinj që kapen në rrjetet kriminale dhe paguajnë një sasi të jashtëzakonshme parash për të kaluar ilegalisht në MB. Shpesh ata kalojnë udhëtime shumë të vështira për të mbërritur atje dhe ne duhet të shohim se pse kjo ndodh, si mund ta parandalojmë dhe gjithashtu se si mund ti mbështesim këta të rinj kur ata kthehen, që të kenë mundësi të mira ekonomike këtu, në mënyrë që ata mos ta ndiejnë si nevojë ta bëjnë përsëri atë udhëtim. Kështu kjo është diçka që qeveritë duhet ta konsiderojnë së bashku, por do të ketë nevojë që gjithë shoqëria të punojë së bashku për të garantuar se do të ketë progres. Dhe dua të theksoj se çfarë kjo ndodhi shkakton është shkatërrim real i familjeve, atyre në MB të cilat tërhiqen në këto rrjete përmes përfshirjes së fëmijëve të tyre në rrjete droge, familjeve të reja këtu, të rinjve të familjeve këtu që ndikohen nga këto punë, gjë që nuk duhet të vazhdojë më dhe për të cilën ne duhet të punojmë si shoqëri jo vetëm si qeveri, për të parë se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA