Kosova nuk bën dot rezistencë ndaj Suedisë, pasi ashtu si në muajin mars në Prishtinë, edhe mbrëmjen e sotme në “Friends Arena” u mposht me rezultatin e pastër 3-0, duke shuar edhe matematikisht shpresat për të provuar kualifikimin.
“Dardanët” këcënuan në pjesën e parë me Elbasan Rashanin, por nuk ia dolën të dërgojnë topin në rrjetë, ndërsa pak minuta më vonë ishte Forsberg që shënoi golin e avantazhit për vendasit, pasi ekzekutoi saktë një penallti të akorduar me ndihmën e sistemit VAR.
Pjesa e dytë nisi mirë për Kosovën, që dërgoi topin në rrjetë me Muriqin, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të sulmuesit, pasi vendimi i anësorit u konfirmua edhe nga VAR-i.
Më pas kontrollin e sfidës e morën vendasit, që shënuan një super gol me Isak dhe më pas vulosën gjithçka me Quaison, megjithatë rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë, por të mos ishte për portierin Muriç, që bëri disa pritje spektakolare.
Kosova ka edhe dy ndeshje për të luajtur në grup, megjithatë deri tani ka grumbulluar vetëm 4 pikë dhe pozicionohet e parafundit, ndërsa Suedia do të duelojë deri në fund me Spanjën për vendin e parë, që të jep edhe një biletë direkte për në Katar 2022.
Top Channel