Sa dëmton shqiptarët inflacioni i rritur?/ Ekspertët e ekonomisë: Shqiptarët po blejnë më pak mallra

09/10/2021 19:36

Rritja e inflacionit në shtator në 2.5% është artificiale dhe nuk dëshmon për një gjallërim të konsumit në vend.

E këtij mendimi është ekspertja Elona Shehu, sipas të cilës me çmimet që rriten e të ardhurat që mbeten të pandryshuara, shqiptarët po kufizojnë gjithnjë e më shumë mundësitë për të shpenzuar, veçse për nevojat bazike.

“Inflacioni është në objektivin  bankës qendrore, por ajo që mua më shqetëson është pamundësia që kanë sot shqiptarët për të konsumuar në të njëjtën sasi si më përpara sepse të ardhurat e tyre nuk kanë ndryshuar. Në kushte kur nuk kemi rritje pagash, pensionesh kjo bën që të konsumohet më pak. Pra, do tkurret konsumi në aspektin ..

Sipas ekspertes Shehu shtrenjtimi i ndjeshëm i mallrave po bëhet në mënyrë abuzive pasi rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare  nuk mund të reflektohet menjëherë në tregun vendas. Autoritetet shton ajo duhet të ndërhyjnë për të stabilizuar situatën.

“Është rritur çmimi për një pjesë të mirë të lëndëve të para por kjo nuk reflektohet direkt në çmimin e tyre. Do të duhet të kalojë një kohë e caktuar derisa të mbarojnë rezervat që ishin. Ne nuk jemi kaq shpejt të pasqyruar në situatën e rritjes së çmimeve. Në këtë kuadër do të duhej ndërhyrja e shtetit për masa lehtësuese tatimore apo ndoshta ndonjë subvencionim të TVSH-së për një kategori të caktuar produktesh. Është Autoriteti i Konkurrencës ai që duhet të ndërhyjë për të mos lejuar abuzimin me çmimin.”

Vala e rritjes së çmimeve duket se do të vazhdojë dhe situata ekonomike në vijim mbetet ende e paqartë si për qytetarët ashtu edhe për bizneset që kanë ulur besimin në ekonomi sipas bankës qendrore, ku pjesa më e madhe e tyre i druhen një rënie të ndjeshme të konsumit.

Top Channel