Turqia hap Galipolin si ‘muzeum nënujor’ ku zhytësat vizitojnë rrënojat e anijeve të Luftës së Parë Botërore (fotot)

06/10/2021 15:37

Rrënoja trupash të anijeve dikur krenare të luftës, mirëpresin zhytësit në brigjet perëndimore të Turqisë, si një testament i betejave të Luftës së Parë Botërore, vend tashmë i kthyer në një muzeum nënujor nga autoritetet.

Mediat britanike thonin se luftanija e tyre gjigante ‘HMS Majestic’ është mes 14 rrënojave të betejës së vitit 1915 në Galipoli, gadishulli strategjik që është kthyer në një varrezë luftanijesh që prej kohërave të lashta.

Beteja e fundit madhore për Ngushticën e Dardaneleve ishte një turpërim i forcave britanike e franceze, të cilat u tërhoqën pas disa muajsh lufte me mijëra të vdekur e dhjetra anije të shkatërruara.

Por megjithse rrjedhimisht Aleatët fituan luftën, sakrificat e asaj kohe ishin një moment ndërgjegjësimi në formimin e shtetit modern të Turqisë, shkruan britanikja Daily Mail.

Tashmë Turqia, ku ende historia e politika bashkohen në mënyrë të pazgjidhshme, ka hapur zonën e betejës si një muzeum nënujor, në kohën e festimeve të 100-vjetorit të shtetit modern në 2023.

“Është si një makinë e kohës që të kthen prapa në vitin 1915 dhe në Luftën e Parë Botërore”, thotë Savas Karakas, zhytës e producent dokumentaresh, si dhe një nga të parët që u zhyt mes rrënojave pas hapjes për publikun këtë muaj.

“Është një moment solemn kujtimi për të kaluarën tonë”, thotë fotografi nënujor vendas Ethem Keskin për rrënojat, disa prej të cilave gjenden vetëm disa metra nën sipërfaqen e ujit, ndërsa të tjera në më shumë se 80 metra thellësi.

Turqia dëshiron që Galipoli të jetë tashmë një destinacion i ri për zhytësit që kërkojnë lidhje me eventet që i kanë dhënë formë botës ku jetojmë sot.

Në betejën e 25 prillit 1915, trupat aleate nga Franca, Britania, Australia e Zelanda e Re, luftuan kundër Gjermanisë dhe turqve Otomanë.

Trupat aleate ishin afruar në brigjet e gadishullit për betejën e tyre fatkeqe, për të marrë kontrollin e ngushticës nga Perandoria Otomane, e cila ishte në rrugën e rrënimit të saj.

Aleatët kërkonin të siguronin kalimin drejt Rusisë duke kapur Konstandinopojën, i njohur si kryeqyteti i perandorive Otomane dhe Bizantine.

Por ata hoqën dorë pas nëntë muaj luftimesh barbare me rreth 130 000 të vdekur nga të gjitha palët.

25 prilli ende nderohet si dita e Aleancës Anzac në Australi e Zelanda e Re, si dhe ndihmoi në formimin e Turqisë moderne, themeluesi i të cilës Mustafa Kemal Ataturk, ishte asokohe komandant i ushtrisë otomane.

FOTO GALERI
3/13
Gadishulli strategjik Galipoli që është kthyer në një varrezë luftanijesh që prej kohërave të lashta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA