Dy komisionet, ai i Shëndetësisë dhe ai i Ligjeve, miratuan në mënyrë unanime shtesën e kontratës mes qeverisë dhe “Pfizer” për 500 mijë doza vaksine që do të mbërrijnë në Shqipëri deri në fund të vitit.
Por debati mes deputetëve të opozitës me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nxori në pah se përqindja reale e popullatës totale e vaksinuar në vendin tonë është e ulët.
Ministrja Manastirliu, në relatimin para deputetëve të komisioneve përkatëse, u shpreh se përqindja e popullatës së vaksinuar në vendin tonë është e lartë, duke u renditur në pozicione të larta në krahasim me rajonin. Sipas ministres, mbi 36% e popullatës shqiptare është vaksinuar me të dyja dozat, ndërsa 44% me një dozë. Por ndërhyrja e deputetes Vokshi fillimisht në Komisionin e Shëndetësisë dhe e deputetit Bardhi dhe Bylykbashi në Komisionin e Ligjeve zbuluan se kishte një ndryshim në leximin e statistikave.
Në shifrat që merrte ministrja e Shëndetësisë për të nxjerrë përqindjen reale të popullatës së vaksinuar nuk ishte popullsia reale e vendit, por ata mbi 18 vjeç. Ndërkohë, sipas standardeve që përllogaritet përqindja e vaksinimit edhe në vendet e tjera të rajonit apo të BE-së, merret si referencë për të nxjerrë përqindjen numri total i popullatës së vendit. Dhe diferenca është se në Shqipëri nuk është vaksinuar 36% e popullatës me dy doza, por vetëm 28%.
Ogerta Manastirliu: Marrëveshja me “Pfizer” vjen si një marrëveshje që do të rrisë furnizimin me vaksina. Vjen si një marrëveshje falë një bashkëpunimi. Pas marrëveshjes së parë për 500 mijë vaksina, vjen amendimi për mbi 500 mijë të tjera që do të vijnë brenda këtij viti. Ndërkohë priten marrëveshje të tjera me këtë kompani. Në sajë të të gjitha marrëveshjeve që janë bërë nga shteti shqiptar edhe falë ndihmës së partnerëve të BE-së, janë më shumë se 2 milionë të ardhura, mbi 1.7 milionë vaksina janë kryer duke arritur një përqindje të mbulesës vaksinale të popullatës së targetuar e theksoj. Janë 36% e popullatës e vaksinuar me të dyja dozat, ndërsa me një dozë janë 44% e popullatës. Ndërkohë, falë instrumentit “Covax” do të kemi edhe 400 mijë doza të tjera vaksinash.
Petrit Vasili: Lidhur me objektivin për të arritur imunizimin brenda pranverës, rreth 950 mijë të dozave të para dhe 806 mijë me dy doza. Në një periudhë më pak se 5 muaj janë mbi 1.2 milionë qytetarë për t’u vaksinuar me një dozë. Ndërkohë duhet të kemi 4 milionë e 400 mijë doza vaksine. Deri tani kemi 2 milionë doza. Mendoni se do të sigurojmë mbi 2 milionë në këto pak muaj? Jeni të bindur se deri në pranverë do t’i vaksinoni mbi 1.2 milionë njerëz?
Albana Vokshi: Materiali që na keni sjellë nuk është i duhuri për të informuar deputetët e Kuvendit. Nuk ka asnjë të dhënë ai që na keni dhënë neve. Materiali juaj ka shifra të manipuluara. Ju thoni se keni vaksinuar 43.8% me një dozë dhe 37.18% me të dyja dozat. Por në shifrat zyrtare të certifikuara thuhet se Shqipëria ka vaksinuar me të dyja dozat 28.3% të popullatës. Serbia 41.8%, Mali i Zi 34.6%, Kosova 30.2%, Maqedonia e Veriut 35% të popullatës së vaksinuar. Ne kemi lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën. Pra jemi të parafundit në rajon. Çfarë suksesi mund të quhet procesi i vaksinimit ku jemi vetëm me 28.4%. Nuk e di se kujt shifër të popullsisë, që ju nxirrni ato shifra. Nëse merrni shifra që i prodhoni te PS, më vjen keq dhe mos e bëni sepse nuk mund të mashtroni deputetët. Ne i referohemi një standardi në të gjithë botën. Përderisa jemi të fundit në rajon, kush mban përgjegjësi që jemi kaq pak. Pse kjo marrëveshje është kaq e vonuar? Pse kemi nisur në janar të këtij viti vaksinimin? Mesatarja e BE-së është me 63% me të dyja dozat dhe 67% vetëm me një dozë. Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Deri më sot kemi nga “Pfizer” vetëm 489 mijë doza. Dhe po diskutojmë 500 mijë sot. Cila është përqindja e secilit lloj vaksine që është përdorur. A ndiheni, ju zonja ministre, përgjegjëse për mungesën e marrjes së masave të duhura gjatë pandemisë që Shqipëria ka këto shifra alarmante të vdekshmërisë? A nuk duhet të kishit dhënë ju dorëheqjen?
Ilir Pendavinji: Sigurisht që ka pasur fatalitete. Vdekje ka pasur, por kanë qenë vdekje si pasojë e pandemisë, jo si pasojë e keqmenaxhimit. Ju vini na kritikoni këtu, por e gjithë fushata juaj, mënyra se si e bërët fushatën, ka shërbyer për rritjen masive të infektimeve. Ato mitingje që ju bëtë janë një shprehje e kundërt e asaj që ka ndodhur.
Albana Vokshi: Raporti i Komisionit Europian para dy javësh, është nga EUROSTAT, është 21.1 niveli i rritjes së vdekshmërisë. Do të çoj edhe raportin e plotë meqë nuk e keni. A jemi ne krenarë për këtë? Kemi nivelin më të ulët të shpenzimit për pandeminë. Kjo tregoi se qeveria s’e ka fare prioritet shëndetësinë? Meqë fole për fushatën, ku keni shkuar nëpër gjykata dhe keni humbur gjyqet. Kush i shkeli ligjet, ju apo ministrja që shkonte shtëpi më shtëpi.
Klodiana Spahiu: Zonja kryetare jemi jashtë objektit të rendit të ditës që kemi këtu. Jemi në seancën e pyetjeve.
Albana Vokshi: Klodi, të lutem mos bëj zhurmuesen. Një sekondë që të sqaroj kolegun tënd se kush ka shkelur ligjet. E kam shkelur unë apo ministrja që shkonte shtëpi më shtëpi për të dhënë legalizime elektorale, e kam shkelur unë apo znj. ministre që hapte vende pune elektorale. E kam shkelur unë që isha kandidate në Njësinë numër 9 në Tiranë apo kandidatja e PS-së ministre, që vendosi gjysmën e stafit patronazhist. E kam çuar në SPAK këtë. 674 patronazhistë ka pasur ministrja te Njësia 9.
Klodiana Spahiu: Kjo është propagandë që bëni ju dhe s’mund të thërrisni ministren.
Albana Vokshi: Kanë qenë 50087 të patronazhuar nga ministrja këtu. Atëherë kush e ka shkelur ligjin, unë apo ministrja që kemi këtu? Unë e kam shkelur apo ajo që çonte tamponë në mes të natës në shtëpi. Ajo që thyente oraret e vendosura nga vetë qeveria. Do ta them në çdo mbledhje derisa të hetohet krimi elektoral.
Klodiana Spahiu: Nuk mund të vazhdoni më kështu, sepse nuk jemi në fushatë. Ismet Beqiraj: Ç’lidhje ka kjo me vaksinimin?
Grida Duma: Është fakt që shqiptarët kanë harxhuar pafund nga xhepat e tyre për t’u kuruar nga Covid. Në fshat paguhej 40 mijë lekë infermieri për të bërë një gjilpërë. S’mund ta themi ne këtë? Kjo është e vërteta jonë. Ju pse nuk e thoni këtë dhe ne të japim rekomandimet tona. Kredibiliteti i vaksinave doli që kur erdhën dozat e para dhe erdhën me çanta dore.
Ogerta Manastirliu: E di që ju dhemb humbja, por ju jeni humbës të këqij, sepse edhe humbja ka klas. Për sa i përket numrit të personave të vaksinuar dhe observimit të dozave, ne jemi pas Serbisë. A mund të ishim më mirë me vaksinimin, patjetër që do të ishim po ta kishim gjetur më mirë para 8 viteve. Dhe po të mos kishit qenë kështu siç jeni, kundërshtarë të vaksinimit.
Albana Vokshi: Kini kujdes se po gënjeni deputetët e Kuvendit. Vetëm se po ju paralajmëroj.
Ogerta Manastirliu: Për sa i përket targetit të vaksinimit, detyra e qeverisë është që të sigurojmë vaksinat për të bërë të mundur vaksinimin e komunitetit target. Deri në fund të vitit do të kemi 3 milionë doza në total dhe gjatë 2022-shit do të kemi në total 5 milionë doza. Pra, për realizimin e objektivave ka dy momente. Ka momentin e sigurimit të dozave që ju e thatë edhe vetë që duhen 4.4 milionë doza, por deri më sot ne kemi siguruar që deri vitin e ardhshëm të kemi 5 milionë doza. Pra, jo vetëm për skenarin e vaksinimit të komunitetit target, por edhe për doza të treta apo vaksinimin e fëmijëve.
Albana Vokshi: Sa është përqindja e vaksinimit këtu? Sepse sajtet zyrtare ndërkombëtare ju kanë nxjerrë zbuluar?
Ogerta Manastirliu: Politika me vdekjen është e mjerueshme. Albana Vokshi: Ju tani duhet të kishit dhënë dorëheqjen me klas.
Ogerta Manastirliu: Do ta kisha dhënë po të ishin spitalet në kolaps, po të mos kishte vaksinime, po të mos kishim siguruar respiratorë…
Albana Vokshi: Sa është përqindja e të vaksinuarve sipas standardeve botërore, jo sipas standardeve socialiste.
Ogerta Manastirliu: Ju mund të kishit kontribuuar në rritjen e vaksinimit. Debati në Komisionin e Ligjeve për vaksinimin
Gazment Bardhi: Pse Shqipëria është e parafundit në raport me vaksinimin e popullatës në përqindje. Ka pasur mungesë fondesh?
Oerd Bylykbashi: Ju raportuat disa shifra në lidhje me vaksinimin e popullatës. 800 mijë shtetas me dy doza dhe diçka mbi 900 mijë me një dozë. Por në fakt përqindjet nuk janë të vërteta. Me popullatën e Shqipërisë që është rezidente këtu, përqindja e vaksinimit është 28% dhe jo aq sa thoni ju. Cili është targeti që ju doni të arrini? Cili është targeti i lartë?
Ogerta Manastirliu: Ne kemi pasur vështirësi dhe problematika. Por ne i jemi përgjigjur çdo situate në kohë. Në kohën kur vendet e botës ishin të mbyllura, Shqipëria ishte e hapur. Nuk dua të them se jemi më keq apo më mirë se vendet e tjera. Shqipëria e mori e para mbas Serbisë. Për sa i përket përqindjes së vaksinimit, raportimi që ju dhashë është mbi popullatën target, që janë ata plus 18 vjeç. Akuzat për shifrat e rreme nuk i qëndrojnë.
Gazment Bardhi: Jemi pas Kosovës, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për shifra që i themi ne, dhe i thoni ju, janë shifra zyrtare. Zonja ministre e pranoi që situata në 3 tetor për vendet e rajonit është kjo tabelë, që nuk ishte tabelë e opozitës, është tabelë e organizatave ndërkombëtare ku zonja ministre dhe Ministria e Shëndetësisë raportojnë dhe na e shprehën edhe me votë. Jemi absolutisht pro procesit të vaksinimit, jemi pro enzimatimit të çdo qindarke nga qeveria për procesin e vaksinimit, por do të duhet që qeveria të lërë mënjanë propagandën. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve nuk mund të jenë kurrë propagandë, do të duhej të ishin prioritet.
Top Channel