‘Kisha e pedofilëve’/ Mijëra abuzime seksuale denoncohen për priftërinjtë e Kishës Katolike të Francës (fotot)

05/10/2021 17:20

Qindra mijëra të mitur kanë qenë viktimë e abuzimeve seksuale të Kishës Katolike franceze, në një skandal që daton prej rreth 70 vjetësh, thuhej sot në një raport të përbashkët të viktimave.

Dokumentet sugjerojnë se numri i viktimave mund të jetë ende më i madh.

Raporti prej rreth 2,500-faqesh është prova më e fundit për abuzimet që janë mbuluar e fshehur sistematikisht nga Kisha në vende të ndryshme dhe për dekada me radhë.

Në dokument grupet e viktimave sugjerojnë se shumë raste të tjera abuzimi mund të kenë kaluar pa u përmendur.

Kreu i komisionit hartues Jean-Marc Sauve, tha për mediat franceze se rreth 3,000 abuzues fëmijësh — dy të tretat e të cilëve ishin priftërinj — kanë punuar në kishën franceze gjatë shtatë dekadave të fundit.

Rreth 80% e viktimave ishin meshkuj, shtoi ai.

Zoti Sauve denonconte mendësinë e Kishës që prej fillimit të viteve 2000 kur nisën të dilnin në pah abuzimet, duke thënë se Kleri ka treguar “një indiferencë të thellë e mizore ndaj viktimave”.

Viktimat tregonin se si nuk besoheshin ose nuk dëgjoheshin nga autoritetet e Kishës, dhe nganjëherë akuzoheshin se ishin “pjesërisht përgjegjës për atë që kishte ndodhur”.

Olivier Savignac, kreu i shoqatës së viktimave ‘Parler et Revivre’ (Fol dhe jeto përsëri), i cili ka marrë pjesë në hetime, tha se numri i viktimave të abuzuara nga priftërinjtë ose klerikë të tjerë arrinte në  216,000.

“Raporti i viktimave me abuzuesit është tronditës. Kjo është diçka e tmerrshme për shoqërinë franceze dhe për Kishën Katolike”.

Zbulimet hedhin më shumë turp te Kisha, një organizatë e akuzuar vazhdimisht për zbulime të ngjashme abuzimi me ata që duhet të mbronte, në vende dhe kontinente të tjera.

Sauve thotë se 22 nga krimet e kryera me se fundmi mund të depozitohen në prokurori.

40 raste të tjera, nga të cilat ka kaluar afati kohor për të bërë denoncim, akuzojnë persona që janë ende në jetë dhe janë depozituar te zyrtarët e Kishës.

Komisioni tha se ka punuar prej dy vjet e gjysmë duke dëgjuar viktimat e dëshmitarët, si dhe duke studiuar arkiva të kishës, policisë e shtypit prej viteve 1950-të.

Një linjë telefonike e ngritur prej nisjes së hetimeve ka marrë 6,500 telefonata nga njerëz që thonin njihnin një viktimë të çështjes.

Kreu i një tjetër grupi të viktimave Francois Devaux, tha se me këtë raport Kisha duhet të shkojë në thelbin e këtij problemi sistemik, duke u reformuar.

Raporti i fundit vjen mes skandalit të priftit të shkarkuar Bernard Preynat që tronditi Kishën Katolike të vendit, i cili u dënua me pesë vjet burg për abuzime skandaloze me djem nën kujdesin e tij për dekada me radhë.

Në maj 2019, Papa Francesku nis një ligj të ri në Klerin Katolik, ku priftërinjve e murgeshave në të gjithë botën u kërkohet të raportojnë abuzime seksuale apo mbulim të tyre nga eprorët apo autoritetet e Kishës.

Ai tha se reforma ishte e nevojshme që çdo peshkop të marrë përgjegjësinë për “katastrofën”.

FOTO GALERI
3/3
Numri i viktimave të abuzuara nga priftërinjtë ose klerikë të tjerë arrinte në 216,000.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA