Veliaj pret Florian Marku: “Vitin tjetër një ndeshje spektakël në Tiranë, për Kryeqytetin Europian të Rinisë”

04/10/2021 12:15

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim boksierin shqiptar, kampionin në versionin IBF, Florian Marku, për të cilin tha se me triumfin e fundit në Londër bëri krenarë të gjithë shqiptarët. Në mënyrë simbolike, ai i dhuroi kampionit shqiptar Kullën e Sahatit të Tiranës.

“Na ke ngritur kokën në një moment shumë të vështirë. Para dy vitesh patëm një tërmet të fortë, pastaj pandemia – e kemi pasur kokën ulur jo prej fajeve tona, por prej disa sfidave që nuk i kërkuam. Të falenderoj që na frymëzove dhe na bëre shumë shumë krenarë”, u shpreh ai.

Veliaj zbuloi edhe lajmin e madh se vitin tjetër, kur Tirana të marrë titullin Kryeqyteti Europian I Rinisë, Floriani do të rikthehet për të zhvilluar një ndeshje spektakolare boksi.

“Nuk është sekret që do të organizojmë një ndeshje të jashtëzakonshme vitin tjetër në Tiranë, me shpresë që të kenë kaluar edhe kufizimet prej Covidit. Ti vërtet jeton në Angli, në Londër, atje jeni me një orë diferencë, por kjo është gjithmonë ora e Tiranës, për ta kthyer pak kokën mbrapa dhe për të kujtuar se duhet të planifikojmë këtë mega aktivitet”, tha kryebashkiaku, duke i dhuruar Kullën e Sahatit.

Florian Marku falenderoi të gjithë shqiptarët për përkrahjen që i kanë dhënë. “Mezi e kam pritur këtë moment. Ftesa nga kryetari i bashkisë së Tiranës është diçka e madhe për mua. I falenderoj të gjithë shqiptarët për përkrahjen e madhe dhe mezi pres të rikthehem në Shqipëri, që të mbroj këtu titujt e mi, në një stadium gjigant”, pohoi boksieri shqiptar.

Florian Marku u shpall kampion bote në versionin IBF. Ai fitoi me pikë ndaj ukrainasit Maksim Prodan. Florian Marku ka fituar 9 ndeshje gjatë karrierës së tij dhe ka barazuar 1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA