“Pandora Papers”/ Gazetarja në Open: Nuk kemi gjetur gjurmë politikani të rëndësishëm shqiptar në dosje

04/10/2021 21:48

Gazetarja Aleksandra Bogdani e ftuar në emisionin Open në Top Channel dha detaje për “Pandora Papers” , skandalin që ka prekur të gjithë botën.

Ajo tha se nuk janë gjetur gjurmë të politikanëve të rëndësishëm shqiptarë në dosjet me të cilat janë marrë 600 gazetarë.

“Nuk kemi gjetur gjurmë të një politikani të rëndësishëm që të ketë fshehur para. Përgjithësisht më rezulton që nuk ka nevojë fare t’i fshehin paratë në mënyrë ofshore”, tha Bogdani.

Superskandali i Pandora Papers nuk ka lënë pa prekur as Shqipërinë. Investigimi i një konsorciumi ndërkombëtar gazetarësh investigativë dhe një grupi prej 150 mediesh zbuloi lidhjet e 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën me llogaritë offshore. Një hulumtim i thjeshtë në faqen që ka publikuar të dhënat tregon se një politikan shqiptar ka fshehur pasuritë e tij jashtë kufijve duke investuar përmes parajsave fiskale, por emri i tij nuk behet publik. Po kështu, zbulohen të dhëna të 27 mijë kompanive, 13 nga të cilat në vendin tonë.

Top Channel