Kukësi mbulohet nga dëbora, mbi 10 centimetra në qafat e maleve, borëpastrueset në terren

28/11/2026 20:13

Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dëborës pas uljes së ndjeshme të temperaturave, duke sjellë ndërprerjen e reshjeve të shiut dhe nisjen e reshjeve të dëborës.

Reshjet kanë nisur edhe në qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat e larta malore dëbora ka krijuar shtresën e parë, e cila në qafat e maleve ka kaluar 10 centimetra.

Ndërkohë, në akset rrugore nacionale ka nisur puna me borëpastruese për largimin e dëborës dhe hedhjen e kripës, me qëllim mbajtjen e rrugëve të kalueshme.

Drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në akset Kukës–Shishtavec, Bushtricë, Qafë Mali, Krumë–Kam–Tropojë, Bajram Curri–Valbonë dhe Qafë Morinë këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin goma dimërore.

Reshjet e dëborës vijojnë me intensitet, duke kërkuar vëmendje të shtuar nga të gjithë përdoruesit e rrugëve.

Top Channel