“Pandora Papers”/ Gazetarja në Open: Çfarë bëri Kallupi për të marrë 12% të vlerës së tenderit?!

04/10/2021 22:03

Gazetarja Aleksandra Bogdani e ftuar në emisionin Open në Top Channel dha detaje për “Pandora Papers” , skandalin që ka prekur të gjithë botën.

“Emri i një biznesmeni shqiptar ka dalë në Pandora Papers. Është një kompani konsulence me në krye Vasip Kallupin që është lidhur me Energo Invest që ka bërë punë të ndryshme dhe Kallupi është paguar 3.6 mln euro. Energo Invest realizoi projektin publik në sektorin energjetik shqiptar. Çfarë ka bërë Kallupi për të marrë 12% të vlerës së tenderit?!”, tha gazetarja.

Kurse aktivisti Gjergj Bojaxhi është shprehur se paratë kanë shkuar në xhepat e politikanëve që kanë qenë në pushtet dhe i kanë dhënë tenderin kompanisë.

“Kanë vajtur tek xhepat e dikujt të lidhur me pushtetin“, është shprehur aktivisti Gjergj Bojaxhi.

Superskandali i Pandora Papers nuk ka lënë pa prekur as Shqipërinë. Investigimi i një konsorciumi ndërkombëtar gazetarësh investigativë dhe një grupi prej 150 mediesh zbuloi lidhjet e 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën me llogaritë offshore.

Një hulumtim i thjeshtë në faqen që ka publikuar të dhënat tregon se një politikan shqiptar ka fshehur pasuritë e tij jashtë kufijve duke investuar përmes parajsave fiskale, por emri i tij nuk behet publik. Po kështu, zbulohen të dhëna të 27 mijë kompanive, 13 nga të cilat në vendin tonë.

Top Channel