Dubai Expo/ Davidit të Michelangelo-s i mbulohen pjesët private për të mos ofenduar vendasit në panairin botëror (fotot)

04/10/2021 15:27

Një kopje identike e printuar në 3D e kryeveprës së Michelangelos, ‘Davidi’ po shfaqet në ekzibicionin gjigant Dubai Expo, e cila ka shkaktuar debate për mbulimin e pjesëve private mashkullore nga organizatorët, për mos të ofenduar konservatorët muslimanë në vend.

Kopja gjashtë metra e lartë e një prej skulpturave më të famshme të botës është sjellë nga Italia për t’u ekspozuar në pavjonin italian të super-panairit.

Dubai Expo 2020 – i cili duhet të ishte organizuar vitin që shkoi por u shty prej pandemisë, kërkon të prezantojë inovacionin dhe kulturën nga e gjithë bota, teksa autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kërkojnë të tërheqin investime e turizëm në rajon.

Por lakuriqësia publike nuk lejohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe prezantimi i saj fillestar kishte shkaktuar trazira mes autoriteteve, shkruante e përditshmja italiane La Repubblica.

Statuja origjinale e Davidit është punuar nga mjeshtri i madh Michelangelo në 1504, dhe u vendos fillimisht në sheshin Piazza della Signoria në Firence, para se të zhvendosej brenda Akademisë së Arteve të Bukura të qytetit në 1873.

Ajo është një nga veprat më të famshme artistike të botës dhe një nga atraksionet turistike kryesore të Italisë edhe sot.

Versioni i Davidit në Dubai Expo është një kopje identike e origjinalit e krijuar me anë të skanimeve lazer dhe teknologjisë së printimit 3D. Kopja është krijuar me rrëshirë sintetike dhe e veshur me pluhur mermeri për të dhënë efektin estetik të veprës origjinale.

Por teksa Davidi origjinal qëndron krenar për t’u parë nga të gjithë, Davidi në Dubai është vendosur i shtrirë në një dhomë të xhamtë cilindrike, ku nuk duket e gjithë skulptura.

Kritiku i njohur italian i artit Vittorio Sgarbi e quante mbulimin e pjesëve private të Davidit diçka ‘qesharake e groteske’.

Ndërsa drejtori i ekzibicionit italian në Dubai Expo, Davide Rampello, mbrojti vendimin e autoriteteve vendase duke e quajtur “qasje unike” kulturore.

Një tjetër italian pjesë e projektit tha për La Repubblica: “Ne njëherë menduam t’i vishnim diçka si të brendshme apo ta ndryshonim statujën, por nuk kishim kohë”.

Ndërkohë Dubai Expo 2020 është përshkruar si një enë shkrirjeje e kulturës, teknologjisë e inovacionit me më shumë se 190 vende pjesëmarrëse.

Por megjithë shkëlqimin e eventit, kritika kanë ardhur për autoritetet pas njoftimit të vdekjes së gjashtë punonjësve të ekzibicionit, tre nga Covid-19 dhe tre nga plagosje të lidhura me punën.

Një tjetër raport shkeljes përmendte faktin e pagave të ulëta ose abuzimeve me punësimet.

EBA nuk kanë një rrogë minimale dhe Expo ka caktuar rrogë minimale prej 1,000 dirham (£200) në muaj, çka është kritikuar nga BE.

FOTO GALERI
1/7
Një kopje identike e printuar në 3D e kryeveprës së Michelangelos, ‘Davidi’ po shfaqet në ekzibicionin gjigant Dubai Expo

Top Channel