Avioni ulet në Vermosh, pëson defekt/ Zhduken dy personat që udhëtonin

04/10/2021 19:49

Një avion i vogël privat, ka bërë ulje të detyruar paraditen e kësaj të hëne, në Bjeshkët e Kelmendit, në Vermosh, të Malësisë së Madhe.

Avioni me të cilin udhëtonin dy persona ende të paidentifikuar ka pësuar një defekt në ajër dhe është ulur në një livadh, në afërsi të kufirit me Malin e Zi.

Ai ka kryer disa fluturime përreth zonës, teksa banoret në një moment kanë vënë re lëvizje të çuditshme të avionit dhe pastaj i është drejtuar një livadhi për t’u ulur. Ata janë nisur për t’i dhënë ndihmën e parë dy pasagjerëve, por kanë vënë re që një fuoristrade ka mbërritur më herët në vendin e ngjarjes.

Personat që ishin në fuoristrade nuk kanë lejuar banoret e parë që të afroheshin me tej, teksa kanë marrë dy pasagjerët e avionit dhe janë larguar. Ne brendësi të mjetit fluturues nuk janë gjetur mjete identifikuese teksa policia e Malësisë së Madhe ende nuk ka konfirmuar identitetin e dy udhëtarëve të avionit.

Brenda mjetit, janë gjetur edhe disa bimë teksa në fillim janë dyshuar si lëndë narkotike por më pas, banoret kanë vënë re se bëhet fjalë për bimë medicinale.

Top Channel