Kryeministri Rama e ka pranuar për herë të parë se Shqipëria do përballet me një krizë energjetike.
“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Kjo krizë e re, na vendos me detyrim përcaktim përpara një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti e sa pandemia, në aspektin ekonomik e social”.
Duke paralajmëruar shqiptarët se do përballen me çmime marramendëse, kryeministri u zotua se qeveria do të mbrojë më të dobëtit.
“Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjetike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh”.
Por, siç ka raportuar Top Channel, kjo krizë ka mbërritur tashmë në Shqipëri, teksa në pikat e karburantit, çmimi i naftës ka arritur mbi 190 lekë, ndërsa i gazit mbi 90 lekë. Ndërkohë energjia elektrike po blihet me çmime pesëfish më të larta në bursa se vitin e kaluar. Kryeministri shpjegoi edhe arsyet:
“Rritja e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësir shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit. Ajo lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, por po ashtu edhe me një kombinim faktorësh të tjerë
Një seri eventesh të motit ekstrem, me tipare të pazakonta sezonale, kanë impaktuar si kërkesën, ashtu edhe ofertën për gaz. Prodhimi i energjisë nga burimet alternative është zvogëluar. Impiantet e prodhimit të energjisë së erës në Europë kanë prodhuar shumë më pak energji se nivelet mesatare.
Rrjedhimisht, mungesa e prodhimit të energjisë alternative, ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve të gazit dhe të qymyrit….”, tha Rama.
Dy muajt e fundit vendi ynë është përballur me rritjen e çmimeve të produkteve të shportës, nga perimet deri tek buka dhe kriza e fundit energjetike mund të thellojë pabarazinë dhe hendekun e varfërisë në vend.
Top Channel