Kriza e shoferëve dhe shpërndarjes së karburanteve në Britani shënonte përkeqësim sot teksa mediat zbulonin pika furnizimi në Londër që shisnin naftën me deri në 3 paundë për litër.
Ndërkohë qindra pompa të tjera furnizimi janë pa karburant në të gjithë vendin, ndërsa radhët e makinave shihen që formohen prej orëve të para të mëngjesit.
Prej të hënës rreth 200 çisterna të ushtrisë kanë nisur shpërndarjen e karburantit, teksa ushtarakët kryen një kurs të përshpejtuar për drejtimin e kamionëve.
Mes përpjekjeve për të mos mbaruar karburantin e tyre si dhe për të kapitalizuar me situatën, disa pika karburantesh kanë rritur çmimet deri në 3 paundë për litër, nga rreth 1.2-1.3 paundë që është zakonisht.
Duke u përpjekur të ruante qetësinë dhe shmangien e blerjeve të panikut ministri i shëndetësisë Sajid Javid tha se situata e karburanteve “po stabilizohet” në shumë pjesë të vendit dhe se ushtria ishte dislokuar si masë paraprirëse.
Ai tha për rrjetin Sky News: “Është vetëm një masë parandaluese dislokimi i ushtrisë për ndihmë. Ishte masa e duhur që njerëzit të kenë besim se gjendja do të stabilizohet”.
Ndërsa kreu i shoqatës së shpërndarëve të karburanteve Brian Madderson paralajmëroi se mangësitë po përkeqësohen në disa pjesë të vendit.
Ai tha për BBC Radio 4: “Në Londër e juglindje, ndoshta dhe në disa pjesë të Anglisë lindore situata është përkeqësuar. Mirëpresim ndihmën e ushtrisë por kjo nuk është një zgjidhje, ndihma e tyre ka vetëm impakt të kufizuar. Duhet t’i japim prioritet shpërndarjes për mbushjen e pikave të furnizimit, veçanërist atyre të pavarura në zonat rezidenciale, jo vetëm grupeve të mëdha”. /The SUN/
Top Channel