Barcelona e Ronald Koemanit jep pak shpesë. “Blaugranat” u mposhtën 2-0 nga Atletico e Madridit në “Wanda Metropolitano”, ku rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë, nëse “Los Colchoneros” do t’i shfrytëzonin më mirë kundërsulmet.

Francezi Lemar në minutën e 23-të dhe Suarez në fundin e pjesës së parë tundën rrjetën e portës së mbrojtur nga ter Stegen, duke asistuar njëri-tjetrin. Një hakmarrje e ëmbël nga sulmuesi uruguaian, ish i Barçës, sidomos ndaj trajnerit holandez, të cilin e ka sulmuar hapur për mënyrën sesi e trajtoi para se të largohej drejt Atleticos.

E dobët forca goditëse e Barcelonës, që përtej volumit të madh të lojës dhe superioritetit në qarkullimin e topit goditi në pak raste portën e Atleticos. Vlen për t’u përmendur rasti i pastër i humbur nga Coutinho dhe disa shkëndija të dhëna nga Ansu Fati, i hedhur në fushë në minutën e 64-t pikërisht në vend të mesfushorit brazilian (Coutinho).

Tri humbje në gjashtë ndeshjet e fundit për Barcelonën, me serinë negative të nisur në sfidën e parë të Championit ndaj Bayernit. Në tri takimet e tjera, dy barazime dhe vetëm një fitore në LaLiga. Barcelona me këto rezultate është në krizë të thellë, por Laporta para ndeshjes deklaroi se çfarëdo që të ndodhte, Koeman do të vazhdonte të ishte trajner i “blaugranave”. Ambienti te Barcelona është i trazuar, e ardhmja e afërt parashikohet e zymtë.

Top Channel