Theu masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Gjykata e Lezhës jep vendimin për xhaxhain e Aldi Ramës. U kap nga policia kur u interesua për nipin

01/10/2021 13:21

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg pa afat xhaxhain e Aldi Ramës, Baki Rama, i cili kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai kishte marrë këtë masë pasi ishte kapur duke tregtuar lëndë piroteknike në dyqanin e tij.

Ditën kur ndodhi vrasja e Saimir Hoxhës, policia ushtroi kontroll në banesën e Baki Ramës për të mësuar nëse Aldi ndodhej atje, por kuptuan që asnjëri prej tyre nuk ndodhej në shtëpi. Në momentin që shkoi në spital për tu interesuar për gjendjen e nipit, u kap nga policia.

21-vjeçari, jetonte në lagjen “Skenderbeg” të Lezhës së bashku me gjyshërit tek banesa e xhaxhait të tij pas divorcit të prindërve.

Vrasja e Saimir Hoxhës ndodhi në vendin e quajtur “Postblloku” me qëllim verifikimin e mjetit, ku ndodhej Aldi Rama dhe dy shokët e tij. Pas ndalimit nga automjeti iu bindën urdhrit për kontroll Armando Marku dhe Kristjan Sherri, të cilët kanë paraqitur dokumentet e identifikimit. Në momentin që nënkomisar Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit, personi që nuk doli nga makina, Aldi Rama i tha policit se “Unë nuk jam për tu kontrolluar…”, dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT duke qëlluar me dy plumba në gjoks, duke e plagosur rëndë atë. Gjatë transportit për në spital, oficeri i Policisë ka gjetur vdekjen.

Autori i vrasjes kaloi në vendin e shoferit dhe u largua me automjetin. Oficerët e grupit të kontrollit kanë reaguar me armët e shërbimit kundër automjetit në largim, me qëllim neutralizimin e tij. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda. Pas vrasjes nisi kërkimi për Aldi Ramën, i cili braktisi makinën dhe u fsheh mes bimësisë së lagunës. E gjithë zona u rrethua dhe pasi u zbulua se ku ndodhej vrasësi ju bë thirrje për dorëzim për 45 minuta.

Sipas policisë Aldi Rama nuk iu përgjigj thirrjes, por u vetëplagos në kokë me armën e tij. Ai më pas u transportua në Spitalin e Lezhës dhe më pas në Tiranë, ku humbi jetën. Policia arrestoi dy shokët e tij për moskallëzim krimi.

Top Channel