“Rritja ekonomike, anemike”/ Bujqësia me të cilën ushqehet pjesa më e madhe e popullsisë është në rënie

01/10/2021 15:04

Rritja e ekonomisë me 17.9% në tremujorin e dytë ishte e pritshme pas goditjes që mori ekonomia një vit më parë, por nuk është realiste.

I këtij mendimi është eksperti Zef Preçi, sipas të cilit kjo ecuri është ndikuar së tepërmi nga sektori energjetik dhe nga ndërtimi, ku përmes tij shton ai kanalizohen edhe paratë informale duke mbajtur në territor pozitiv rritjen

Me mbarimin e efekteve të eksporteve të energjisë shpjegon Preçi ekonomia do të vazhdojë të ndjekë një rritje anemike në vijim dhe as ndikimi i rindërtimit nuk do të jetë kaq i lartë sa për të pasur një rritje të qëndrueshme.

“Në tremujorin e tretë ruhet një pjesë e tendencës nga tremujori i dytë prej konsumit dhe prurjeve të emigracionit por rikthet më pas një trend normal me ecuri anemike me rritje të ngadaltë. Varja e shpresës së qeverisë te fondet e rindërtimit është jo realiste dhe ka të bëjë vetëm me efekte të përkohshme dhe me ndikim në një sektor. Nëse bujqësia është në rënie ku pjesa më e madhe e popullsisë është e vendosur atë të shtyn të mendosh se ka një impakt të mbiçmuar momental që lidhet me dobësitë e institucioneve që lidhet me pozicionin gjeografik të Shqipërisë si vend tranzit jo vetëm burim i drogave të buta dhe njëkohësisht me kuadrin ligjor që nuk kontrollon sa duhet pastrimin e parave kryesisht në sektorët e ndërtimit”, tha ai.

Sipas Preçit, ekonomia do të vazhdojë të ndjejë pasojat e pandemisë dhe qeveria duhet të fokusohet të shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, bujqësia e turizmi.

“Duhet pranuar që rritja ekonomike lidhet me degët bazë të ekonomisë tregti, transport bujqësi dhe nëse shkojnë në negative duhet parë faktorët. Ka shumë vite që në ekonominë tonë kombëtare janë identifikuar si turizmi ashtu edhe bujqësia si potencialet zhvillimore si për fuqinë punëtore ashtu edhe për të rritur fuqinë eksportuese të ekonomisë dhe kontributin e saj. Është koha të analizohen investimet e kryera në turizëm për të kaluar në turizëm në të gjitha forma e të ketë shtrirje gjithëvjetore dhe politika fiskale që e mbështesin”, sipas ekspertit.

Teksa ndikim në rritjen ekonomike dha edhe sektori i industrisë nxjerrëse si rrjedhojë e lehtësimit të rrugëve tregtare, eksperti Preçi shton se burimet natyrore të trashëguara vazhdojnë të japin një kontribut të vogël në ekonomi dhe do ishte më mirë të qëndronin në vend, sesa të eksportoheshin jashtë.

 

Top Channel