Polici francez pranon se është vrasësi-përdhunues i kërkuar prej 35 vitesh (fotot)

01/10/2021 16:17

Një ish-oficer policie në Francë është identifikuar së fundmi si një nga vrasësit serialë më të tmerrshëm të vendit, pasi ka pranuar fajin në letrën e tij të vetëvrasjes.

Kjo e fundit duket se erdhi pasi Francois Vérove nisi të dyshonte se hetuesit më në fund po arrinin të zbardhnin krimet e tij.

Detektivët kanë qenë në ndjekje të të dyshuarit të njohur deri tani vetëm si Le Grêlé (Puçranjosi) në lidhje me një seri krimesh të tmerrshme të kryera në vitet 1980-të e 1990-të.

Mes tyre përfshihet vrasja e përdhunimi i një vajze 11-vjeçare, Cécile Bloch, në ndërtesën e banimit të saj në periferi të Parisit në 1986, si dhe mbytjen e një cifti në zonën qendrore të Le Marais.

Një vizatim i bazuar në përshkrimet e dëshmitarëve tregonte një burrë të ri me shenja të dukshme akneje në fytyrë.

Misteri duket se u zbulua bashkë me trupin e François Vérove, babai i dy fëmijëve që vdiq në moshën 59 vjeçare pas daljes në pension nga forcat e policisë së Parisit.

Ai u gjet në një apartament në rezortin mesdhetar francez të Grau-du-Roi të mërkurën.

Në një letër të gjetur në vend ngjarje ai raportohet se rrëfente se ka qenë i përfshirë nga ‘impulse në të kaluarën’ të cilat pretendonte se i kishte vënë ‘nën kontroll’.

E përditshmja franceze Le Parisien, shkruante se letra përfundonte me frazat: “Pranoj se jam një kriminel madhor që ka kryer akte të pafalshme  në fund të viteve 1990-të”.

ADN Vérove përputhej me të paktën pesë gjurmë të gjetura në skenat e krimeve të ‘Le Grêlé’.

Ai dyshohet tashmë për katër vrasje dhe gjashtë përdhunime, duke përfshirë dhe vrasjen në vitin 1994 të 19-vjeçares Karine Leroy në Meaux, në lindje të Parisit.

Një avokat përfaqësues i familjeve të viktimave falenderonte policinë por tha se ka shumë më tepër për të bërë.

Zyrtarët shtonin vetëvrasja e Vérove ka ardhur pasi dyshonte se hetuesit më në fund arrinin të zbardhnin krimet e tij.

Provat kishin sugjeruar se krimineli ishte pjesë e Gendarmerie – policia e armatosur ushtarake pjesë e organeve të rendit – ku 59-vjeçari aderonte para se të bëhej polic.

Hetuesit kishin dërguar ‘letra informacioni’ për 750 xhandarë të rajonit të Parisit në detyrë në kohën e krimeve, duke përfshirë dhe Vérove.

Ai ishte thirrur për të dhënë mostra të  ADN-së por u shpall i zhdukur nga bashkëshortja e tij tre ditë më vonë.

Fqinjët e çiftit në La Grande-Motte – qyteza pranë vendit ku Vérove u gjet i vdekur thanë se ishin të shokuar nga zbulimet.

Një prej tyre tha për Le Parisien: “Bisedonim nganjëherë përtej murit. François ishte një burrë i fuqishëm, i ndihmonte të tjerët. Njëherë erdhi për të rregulluar kompjuterin e gruas time. Këto lajmet duken të pabesueshme”.

FOTO GALERI
2/5
Detektivët kanë qenë në ndjekje të të dyshuarit të njohur deri tani vetëm si Le Grêlé (Puçranjosi)

Top Channel