Vetëm pak muaj pas eliminimit në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian, Spanja do të ketë mundësinë të hakmerret ndaj Italisë, në një tjetër gjysmëfinale, por këtë herë atë të Nations League, që do të luhet mbrëmjen e 6 tetorit, në mitikun milanez “San Siro”.

“Furia Roja” bëri një ndeshje mjaft të mirë ndaj të kaltërve, duke dominuar takimin, por në fund nuk shkoi përtej barazimit 1-1 dhe u eliminua pas ekzekutimit të 11-metërshave, ndërsa pas këtij suksesi, Italisë iu hap udha për të ngritur lart trofeun e shumëlakmuar. Trajneri Luis Enrique vlerësoi maksimalisht “të kaltrit” e Mancinit, që prej vitesh kanë harruar shijen e humbjes, megjithatë theksoi se dita që Italia të rikthehet te disfata nuk është shumë e largët, duke e paralajmëruar për përballjen direkte.

“Italia është në formë mjaft të mirë, pasi ka fituar Europianin me meritë dhe ka zgjatur serinë e pathyeshmërisë. Megjithatë siç e thotë psikologu ynë, nuk është e largët dita kur do të humbë. Në Europian bëmë mjaft mirë, por nuk ia dolëm të kualifikohemi. Jemi dy skuadra me stil të ngjashëm loje, ndaj shpresoj që të përsëritim një tjetër ndeshje të bukur në Milano”, u shpreh trajneri spanjoll.

Për “Final Four”-in e Nations League, Luis Enrique ka grumbulluar për herë të parë edhe talentin 17-vjeçar të Barcelonës, Gavi, për të cilin flet me superlativa dhe shpjegon edhe arsyet e ftesës. “Është një lojtar që e njoh mjaft mirë dhe nuk kam aspak dyshime për rendimentin e tij. Për më tepër, mungesat e shumta në këtë periudhë, më japin mundësi ta grumbulloj dhe ta shoh nga afër rritjen e tij”, tha Luis Enrique.

Së fundi mes FIFA-s dhe UEFA-s ka nisur një luftë në distancë, pasi qeveria europiane e futbollit ka dalë kundër organizimit të Kupës së Botës çdo dy vite, megjithatë edhe Luis Enrique ka mendimin e tij në këtë debat.

“Mua më pëlqen një Botëror çdo dy vite, pasi është diçka shumë tërheqëse për tifozët dhe futbollistët, por në fund kalendarin e ngjeshur e vuajnë këta të fundit. Ndaj mendoj se më përpara duhet të rishikohet kalendari sezonal dhe të reduktohet numri i ndeshjeve diku tjetër”, u shpreh spanjolli.

Top Channel