Kur dhe pse duhet ta bëni mamografinë, ja çfarë duhet të dini para analizave

01/10/2021 05:50

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë vendin. Kjo sëmundje ka tendencë rritjeje në vendin tonë dhe prek afro 600 gra dhe vajza në vit. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se rreziku i sëmundjes është 45 raste të reja për 100,000 gra në Shqipëri ose thënë ndryshe 600-650 raste të reja në vit.

Sipas ISHP-së 16.5 përqind e shqiptarëve vdesin nga kanceri dhe 1 në 7 vdekjes janë nga kanceri i gjirit. 80 përqind e grave që preken nga kanceri i gjirit janë mbi moshën 45 vjeç. Masë e rëndësishme në luftën kundër kancerit të gjirit mbetet kapja e sëmundjes në fazë të hershme gjë që rrit ndjeshëm shanset e kapërcimit të sëmundjes.

Autoritetet në vend thonë se kanë shtuar mamografitë levizëse në të gjithë vendin. Mamografia mund të duket si një makineri intimiduese por nëse një grua përgatitet paraprakisht, eksperienca nuk është e keqe.

Kur Duhet Të Bëni Mamografinë
Mosha e nisjes së mamografisë është në varësi të faktorëve të rrezikut të kancerit të gjirit. Nëse rreziku është mesatar, mjekët rekomandojnë nisjen e mamografisë që në moshën 40 vjeçare. Nëse rreziku është më i lartë, atëherë mjekët rekomandojnë që gratë të nisin të bëjnë mamografinë që në moshën 30 vjeç. Faktorët e rrezikut mund të përcaktohen vetëm nga mjeku. Përballja me mamografinë është e sikletshme për çdo grua. Përpara kryerjes së mamografisë ajo duhet të ndjekë këto dy këshilla të thjeshta.

Rroba të Përshtatshme
Përpara se të shkoni tek mjeku për mamografinë, ekspertët rekomandojnë të vishni rroba të përshtatshme. Pra duke qenë se gruaja do të zhvishet nga mesi e lart, ekspertët thonë që ajo do të ndihet më rehat nëse është e veshur nga mesi e poshtë. Ju mund të vishni pantallona ose fund dhe një bluzë pambuku, ose çdo gjë që ju bën ju të ndiheni të qetë.

Jo Anti-Djersë
Ekspertët këshilllojnë që të mos aplikoni anti-djersë sepse disa përbërës të tyre dalin gjatë analizës dhe i bëjnë rezultatet të vështira për tu kuptuar e jo normale. Mamografia mund të jetë e parehatshme e shpesh e dhimbshme për disa. Nëse e shihni të udhës dhe me këshillën e mjekut mund të merrni një ilaç kundër inflamacionit. /AgroWeb

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA