U kapën duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm në autostradën Milot-Morinë, arrestohen 2 persona

30/09/2021 11:24

Policia e Lezhës ka goditur dy raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe si rezultat kanë rënë në pranga 2 shtetas.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se ata u kapën duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

“Shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në  automjetet  tip “  Volksëagen ” dhe “Citroen” po transportoheshin emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjeteve. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: F.Gj., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe A.B., 33 vjeç, banues në Durrës”, njofton policia.

Bëhet e ditur se këta shtetas janë kapur në autostradën Milot-Morinë, në Skuraj, Kurbin dhe Munaz, Mirditë duke transportuar me automjetet  e tyre  “Volksëagen ” dhe ” Citroen”, 13  emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.

Top Channel