Trajtohen prej vitesh me bonusin e të pastrehëve, 11 familje të komunitetit Egjiptjan kërkojnë zgjidhje

30/09/2021 20:35

11 familje të komunitetit Egjiptjan në qytetin e Shijakut janë drejtuar në redaksinë e emisionit Fiks Fare dhe thonë se po vuajnë mungesën e një strehe.

Më parë ata jetonin në bregun e lumit Erzen, në banesa një katëshe, por si pasojë e reshjeve dhe daljes së lumit nga shtrati Bashkia e Shijakut i shpërnguli për pak ditë në Kavaleshencë të Durrësit. Me stabilizimin e situatës dhe dëshirën e familjeve u ritransferuan përsëri buzë lumit Erzen. Situata u bë e përsëritshme dhe bashkia e këtij qyteti vendosi që këto familje të trajtoheshin me bonusin e të pastrehëve, duke ju gjetur kështu shtëpi banimi brenda në qytet me kontratë një vjeçare. Këto familje kërkojnë nga bashkia që t’u gjendet një zgjidhje e përhershme për të patur një strehë të tyren. Në një komunikim që kanë patur banorët e këtij komuniteti me kryetarin z. Elton Arbana ai është shprehur se duhen t’i gëzohen faktit se trajtohen me këtë bonus prej aq kohësh, pasi mund të vijë dhe momenti që bashkia nuk mund ta ketë më këtë mundësi.

Menjëherë pas shqetësimit të banorëve të këtij komuniteti, gazetarët i drejtohen Bashkisë Shijak për të marrë një përgjigje nga kryetari Elton Abana.

Kryetari tha se këto familje trajtohen me bonusin e të pastrehëve që prej vitit 2017. “Momentalish janë të pajisur me kontrata banimi një vjeçare, pasi ne si bashki nuk kemi banesa sociale për këtë kategori.
Kjo kontratë qiraje ka qenë e rinovueshme çdo vit, por plani i projekt buxhetit bëhet në fund të çdo viti. Nga ana jonë këto familje nuk janë neglizhar dhe as nuk do të mbeten të neglizhuar” përfundoi kryetari Abana.

Top Channel