“Rimëkëmbja, prioritet kryesor”/ Zv.kryeministri Ahmetaj: Ka rritje të ekonomisë me 17.9% në tremujorin e dytë

30/09/2021 11:21

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka folur për rritjen e ekonomisë gjatë tremujorit të dytë me 17.9% duke thënë se është një trend i shërimit ekonomik. Ahmetaj foli me detaje në lidhje me shifrat e muajve të fundit duke thënë se rimëkëmbja ekonomike mbetet prioritet kryesor për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Arben Ahmetaj: Sot dua të ndaj me qytetarë një zhvillim shumë pozitiv për ekonominë tonë që konfirmon jo vetëm pritshmëritë tona por edhe bindjen e muajve të fundit për ringritjen dhe rimëkëmbjen graduale pas tërmetit dhe pandemisë. Në 3 mujorin e dytë të vitit 2021, produkti i brendshëm bruto, ekonomia u rrit me 17.89%, krahasuar me të njëjtin tremujor 2020 që përkoi me përshkallëzimin e pandemisë. Çdo njeri e mban mend një vit më parë që ekonomia pësoi rënie drastike, -11%, e krahasueshme vetëm me ’97.

Degët kryesore të ekonomisë shënojnë rritje të konsiderueshme, gati dyshifrore, do veçoja rindërtimin në infrastrukturë, ujësjellës dhe rindërtim. Ka një transformim të zonave të dëmtuara nga tërmeti. Uji dhe energjia kanë një rritje domethënëse prej 39% pasuar nga transporti dhe hotele me 31.8%. Sic e shihni të gjitha janë dyshifrore.

Sinjali tjetër pozitiv vjen nga shpenzimet. Qytetarët dëgjojnë gjithë diskursin politik që tenton të bëjë ping pong, statistikat janë të rëndësishme dhe aty edhe tek konsumi familjar ndihet ringritja. Edhe tek investimet e sipërmarrjes ndihet ringritja e rimëkëmbja ekonomike që për shkak të qeverisë, staminës së sipërmarrjes dhe elementëve që kanë të bëjnë me men axhimin e pandemisë dhe tërmetit, po japin efektet pozitive në ekonomi.

Konsumi i popullatës janë shpenzimet që bën familja. Është rritur me rreth 10% krahasuar me 1 vit më parë. Së dyti, ai që i referohemi formimi bruto i kapitalit fiks që për qytetarët janë investimet që bëjnë sipërmarrjet për të rritur kapacitetet e prodhimit, është rritur 35.7%, ndërsa performancë pozitive është parë dhe në eksporte e importe.

Këto nuk janë më shenja, por trende të shërimit ekonomik që po konsolidohet dita ditës. Ndoqëm një politikë fiskale ekspansioniste si shumëkush në botë. Një paketë prej 80 miliardë lekë ka qenë mbështetje e dedikuar për menaxhimin e efekteve të pandemisë, e barabartë gati me 5% të prodhimit të brendshëm bruto. Përmes pagave të luftës, u mbështetën gati gjysma e të punësuarve në sektorin privat/ E dyfishuam ndihmën ekonomike për të mbështetur ata më në nevojë, dyfishuam edhe pagesën e papunësisë, falëm kamat vonesat e energjisë elektrike dhe riskeduluam deklarimet e bizneseve për vitin 2021. Ndërhyja në ekonomi shpërbleu mbrapsht.

Në janar 2021 ne i rifituam të gjitha vendet e punës që humbëm për shkak të pandemisë. Po kështu rritja ekonomike sic e tregoi tremujori i parë dhe i dytë po rikthehet drejt objektivit tonë. Rimëkëmbja do të mbetet prioriteti kryesor për punën tonë të rimëkëmbjes dhe do të krijojmë më shumë vende pune duke mbështetur sektorët ekonomik më të prekur si turizmi, manifaktura.

50 milionë euro mbështetje për sipërmarrjet në sektorin e turizmit dhe manifakturës si garanci për kreditim apo zgjatje të afatit të kredive ekzistuese apo 5 milion euro për sipërmarrjet në fushën e transportit, mbështetje për IT, start up të të rinjve. Këto janë trende të konsoliduara që tregojnë ringritje ekonomike. Kemi shumë punë për të bërë përpara për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të rritur punësimin dhe për të ndihmuar ata më shumë në nevojë dhe të rinjtë që të jenë pjesë aktive e ekonomisë shqiptare.

Top Channel