Lule në tavolinën e punës, një foto në kornizë zëvendëson prezencën e oficerit të vrarë të krye të detyrës

30/09/2021 17:54

Kolegët e “Dëshmorit të Atdheut”, Saimir Hoxha kanë vendosur sot lule në tavolinën e punës.

Shefi i Krimeve në Policinë e Lezhës u nis në një aksin anti hashash së bashku me dy policë të tjerë, për të mos u kthyer më kurrë.

Ai u vra në krye të punës nga 21-vjeçari Aldi Rama, që më vonë qëlloi dhe veten.

Si ndodhi vrasja e policit 44-vjeçar Saimir Hoxha, në 28 shtator?

Sipas policisë, po bëheshin kontrolle në lagunën e Kune Vainit për drogë dhe është gjetur e shkatërruar një parcelë me 62 rrënjë hashash. Rrugës së kthimit, 500 metra larg parcelës, policët janë shkëmbyer me një automjet me të cilin lëviznin tre të rinj që janë kthyer rrugës. Policët e ndaluan mjetin në vendin e quajtur “Postblloku” me qëllim verifikimin e tyre.

Pas ndalimit nga automjeti iu bindën urdhrit për kontroll Armando Marku dhe Kristjan Sherri, të cilët kanë paraqitur dokumentet e identifikimit. Në momentin që nënkomisar Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit, personi që nuk doli nga makina, Aldi RAma i tha policët se ”Unë nuk jam për tu kontrolluar…”, dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT dhe e ka qëlluar me dy plumba në gjoks policin, duke e plagosur rëndë atë. Gjatë transportit për në spital, oficeri i Policisë ka gjetur vdekjen.

Autori i vrasjes kaloi në vendin e shoferit dhe është larguar me automjetin. Oficerët e grupit të kontrollit kanë reaguar me armët e shërbimit kundër automjetit në largim, me qëllim neutralizimin e tij. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda. Pas vrasjes nisi kërkimi për Aldi Ramën, i cili braktisi makinën dhe u fsheh mes bimësisë së lagunës. E gjithë zona u rrethua dhe pasi i zbulua se ku ndodhej vrasësi ju bë thirrje për dorëzim për 45 minuta.

Sipas policisë Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes, por është vetëplagosur në kokë me armën e tij. Ai më pas është transportuar me barelë menjëherë deri në vendin e quajtur “Postblloku” më pas është dërguar në Spitalin e Lezhës dhe më pas në Tiranë, ku edhe sot në mëngjes humbi jetën. Policia arrestoi dy shokët e tij për moskallëzim krimi.

 

FOTO GALERI
1/29

Top Channel