Bashkë me trajnerin Ilir Daja në konferencën për shtyp para derbit ndaj Dinamos ishte i pranishëm edhe portieri dhe kapiteni i Partizanit Alban Hoxha i cili foli për ecurinë e të kuqëve në këto 3 javë të para për ndjesitë që ka para derbit ndaj Dinamos dhe për objektivat e Partizanit në këtë sezon.
Gabimet: “Kemi luajtur mirë në 3 ndeshje, jemi penalizuar nga gabimet individuale. Duhet të kemi kujdes në mbrojtje, të mos gabojmë si më përpara. Loja do jetë e njëjtë, thjeshtë të minimizojmë gabimet”.
Lojtarët me eksperiencë: “Kapiteni ka përgjegjësi kurdo, jo vetëm në derbi. Normal bie barra më e madhe te ne lojtarët me eksperiencë. Ne i marrim përgjegjësitë. Duhet t’i largojmë nga përgjegjësia djemtë e rinj. Po e bëmë ne, për të tjerët do të jetë më e lehtë”.
Analiza e ndeshjeve :“Ne i analizojmë ndeshjet, me video. Kemi biseduar dhe thelbi është që të gabojmë sa më pak në mbrojtje dhe të shfrytëzojmë rastet në sulm. Me Vllazninë patëm shumë raste. Po të finalizonim, do e përmbysnim. Edhe me Teutën, po të shënohej penalltia mund të shkonte ndryshe”.
Objektivi dhe Dinamo: “Edhe Dinamo do humbë, si të gjithë. Nuk kemi dëshirën më të madhe t’u shkaktojmë humbjen e parë, por të marrim fitoren vetë. Objektivi është të jemi sa më afër kreut. Dinamo është ekip i fortë, mbron mirë si ekip dhe ka sulm të rrezikshëm. Duke i parë këto, duhet të jemi të kujdesshëm prapa. Pastaj t’ia lëmë fushës, pasi varet si merret ndeshja”.
Stadiumi: “Po të luhej në ‘Air Albania’ do ishte më mirë, edhe pse Elbasani nuk është larg. Shpresoj që këto gjëra që nuk janë në dorën tonë të ndryshojnë. Edhe ne po përpiqemi të luajmë në stadiumin tonë”.
Titulli: “Kemi lojtarë të talentuar dhe një grup të mirë. I kemi mundësitë edhe për të dalë kampionë, por kjo bëhet me punë dhe sakrificë. Kampionati është i gjatë dhe nëse jemi në një mendje e duam të punojmë, mund t’ia dalim pasi i kemi të gjitha mundësitë”, përfundoi Alban Hoxha./ Supersport
Top Channel