Vendimi/ Ministri Çuçi: Fëmijët do të marrin 170% të pagës së nënkomisarit deri në moshën 18 vjeç

29/09/2021 13:45

Nënkomisari i Lezhës, Saimir Hoxha është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim qeverie.

Ministri i Brendshëm, Bledi Cuci bëri me dije se dy fëmijët e nënkomisarit do të marrin trajtim deri në moshën 18 vjeç, nëse vazhdojnë shkollën e lartë deri në 25 vjeç dhe do të marrin 170% të pagës së nënkomisarit.

Përvec kësaj, do të kenë trajtim shëndetësor falas dhe benefite të tjera nga statusi “Dëshmor i Atdheut” i babait të tyre.

“Siç e dini, dje humbi jetën në mënyrë tragjike në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha. Morëm vendimin për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të nënkomisar Saimir Hoxhës. Qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve. Me marrjen e titullit “Dëshmor i Atdheut”, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që miratuam në mbledhjen e parë të kësaj qeverie ato do të trajtohen, familjarët dhe posaçërisht fëmijët si fëmijë në përkujdesje të Republikës. 

Kjo do të thotë se fëmijët e “Dëshmorit të Atdheut” do të marrin një trajtim deri në moshën 18 vjeç dhe nëse vijojnë shkollën e lartë deri në 25 vjeç, të dy djemtë do të marrin pagë prej 170% të pagës së nënkomisarit. Jo vetëm kaq, do të marrë trajtim falas shëndetësor dhe benefitet si rezultat i statusit “Dëshmor i Atdheut” të babait të tyre. Sigurisht fëmijëve do u mungojë babai i tyre, por në asnjë moment gjatë gjithë jetës së tyre nuk do i mungojë përkujdesja nga shteti”- tha Çuçi.

Top Channel