Shqetësimi i prindërve për mësimin e fëmijëve/ Ministrja Kushi: Jemi të detyruar të zbatojmë këtë skenar!

29/09/2021 13:47

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka sqaruar të gjithë prindërit që janë të shqetësuar për cilësinë e mësimdhënies dhe oraret me turne të fëmijëve të tyre, që ky skenar nuk do të zbatohet deri në fund të vitit shkollor.

Kushi ka theksuar se ky është një skenar i diktuar nga udhëzuesi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vijojë i tillë deri në normalizimin e situatës.

Kushi: Unë i mirëkuptoj prindërit që janë të shqetësuar për cilësinë e arsimit që marrin fëmijët e tyre, për kohëzgjatjen e orës mësimore, apo për mësimin me turne që në disa shkolla jemi të detyruar t’i aplikojmë për shkak të udhëzuesit të ministrisë së Shëndetësisë. të gjithë jemi ende në situatë pandemie, jemi ende në beteje më covid-19 dhe për këtë arsye një nga rregullat që duhet të zbatojmë është edhe distanca fizike midis nxënësve.

Për këtë arsye në ato klasa ku sipërfaqja, numri i nxënësve është i lartë dhe nuk e lejon distancën e parashikuar nga udhëzuesi jemi të detyruar të zbatojmë turnet dhe klasa të mos ketë më shumë se 15 nxënës, për të mos lejuar që në një bankë të ulen 2 apo tre nxënës dhe të zhvillojnë procesin mësimor aty për orë të tëra. Kjo do të rrezikonte përhapjen e infeksionit midis nxënësve, me mësuesit, prindërit dhe gjithë komunitetin.

Dua t’i qetësoj prindërit duke thënë se ky nuk është vendim definitiv që do të aplikohet për të gjithë vitin shkollor, është vendim i parë sipas situatës që Komiteti i ekspertëve na ka sugjeruar dhe për momentin jemi të detyruar të zbatojmë këtë skenar. 

Top Channel