‘Flota detare më e madhe e botës po përpiqet të zgjerohet në Paqësor, prandaj SHBA po kërkon aleatë në rajon’, shkruante sot e përditshmja britanike ‘The Guardian’.
Në kantieret e Shanghai po merr formë hapi i radhës në zgjerimin e forcës detare kineze, siç është aeroplambajtësja e re 315-metra e gjatë, progresi i së cilës u zbulua në maj nga fotot satelitore.
Tashmë llogaritet se Kina ka flotën detare më të madhe në botë ashtu si dhe industrinë më të madhe të ndërtimit të anijeve, por aeroplanmbajtësja e re tip 003 është një mjet me masë të njëjtë me atë të fundit amerikan US Ford, me të njëjtat katapulta elektromagnetike për lëshimin e avionëve.
Kjo është pjesë e tentativës së Pekinit për sprapsjen e Uashingtonit në Paqësor nga zinxhiri i ishujve të kontestuar, që prej jugut të Japonisë, mes Taivanit e Filipineve, deri në detin e Kinës Jugore.
Prandaj sipas ekspertëve, Uashingtoni po përfshin Australinë e Britaninë në rajon me anë të paktit të përbashkët të ndërtimit të armatimeve detare, Aukus.
Që prej Luftës II Botërore, SHBA ka qenë fuqia dominuese detare e botës, duke vepruar si “garantuese” për Japoninë, Korenë e Jugut, dhe veçanërisht Taivanin që pretendohet nga Kina.
Por ambicjet e presidentit kinez Xi Jinping për ndërtimin e flotës më të mirë detare deri në 2035, po i ndryshon shpejt llogaritjet.
Pentagoni thotë se flota kineze ka tashmë 350 luftanije, përkundër 293 të SHBA.
Flota kineze është trefishuar në masë në 20 vitet e fundit, teksa tenton të arrijë 400 luftanije deri në 2025.
Kjo duket se është arsyeja e lëshimit në Paqësor të aeroplanmbajtëses së re britanike Queen Elisabeth, me tetë mjete detare mbështetëse.
Luftanija kryesore britanike do të kryejë manovra detare që duket qartë se kanë si objektiv Pekinin, siç janë ato me forcat e SHBA, Australisë, Francës, Japonisë, Zelandës së Re e Koresë së Jugut.
Akordi Aukus do të furnizojë Australinë me teknologjinë e ndërtimit të nëndetëseve bërthamore, për dislokime nënujore të rangut të largët.
Me nëndetëset tradicionale të karburantit Australia mund të kryente dislokime jo më shumë se 11-ditore ne Detin e Kines Jugore, ndërsa me motorët me energji bërthamore kjo kohëzgjatje arrin në të paktën dy muaj.
Por nëndetëset e reja të Australisë nuk do të jenë gati deri në vitin 2040, në një kohë kur Kina ndërton një nëndetëse çdo 15 muaj, sipas Mathieu Duchâtel, i grupit francez të analistëve Institut Montaigne.
Chris Parry, admiral britanik në pension thoshte për çështjen: “Kina ka shumë çelik, kapacitet ndërtimi dhe ekspertizë, por armët më të mira i merr nga rusët. Ata mbeten prapa gjithashtu për nga numri i stafit të flotës.”
Top Channel