Komisioni për Ekonominë dhe Financat/ Kryetari pranon opozitën në sallë, Spaho: Mos kini frikë nga debatet

29/09/2021 11:28

Komisioni për Ekonominë dhe Financat është mbledhur ditën e sotme me praninë e mazhorancës online dhe të opozitës fizikisht. Kryetari Eduard Shalsi i dha fjalën deputetit të opozitës Arbi Agalliu dhe më pas mori sërish fjalën duke thënë se mbledhjen duhet ta bëjnë online ashtu sic bën e gjithë bota.

Nuk mungoi ndërprerja e fjalës së tij, ndaj reagoi menjëherë duke kërkuar respektim të etikës.

Eduard Shalsi: Mendohet se e ardhmja e universiteteve do të ketë një përqindje të caktuar… Kam vetëm një kërkesë që mund të kundërhstojmë njëri tjetrin, kjo nuk është cështje që na shqetëson por duke ndërprerë pa leje, secili mund ta marrë fjalën, por se cfarë them unë do ju kërkoja që të respektojmë etikën. Një nga debatet më të rëndësishëm që duhet të bëjmë dhe në parlament është ajo që bën bota, mbledhjet online, komisionet jo vetëm në kohën e pandemisë por edhe post pandemisë. Kam një kërkesë nga disa kolegë, nuk dua të përmend vetëm mazhorancën, por dhe disa deputetë nga rrethet. Në disa mbledhje kur rëndësia ka qenë relative, mbledhjen ta bëjmë online. Nëse nuk do logoheni, do të duhet të vini këtu.

Ndërsa Edmond Spaho e cilësoi “marrëzi” mbledhjen e komisioneve online në një kohë kur hapen shkollat dhe i bën thirrje mazhorancës që të mos frikësohen nga debatet.

Edmond Spaho: Kjo që po bëni është nga marrëzitë më të mëdha. Që hapen shkollat ndërkohë që mbledhjet e qeverisë bëhen me prani fizike, Kuvendi me prani fizike, ju insistoni që të zhvilloni komisionet online. Kjo tregon vetëm frikë nga debatet. Nuk ka pse të keni frikë nga debatet. Ato që po thoni për pandeminë, i takojnë një periudhe të shkuar. Bota po i kthehet normalitetit. Komisionet Kuvendore duhet të zhvillohen fizikisht. Duhet të reflektoni. Në seancën e parë, kryeministri foli për një qasje të re ndaj opozitës. Në fakt po tregoni qasje dhe më të vjetër se nuk po lejoni as debatin në Komisione. Sot po detyroni opozitën të mos jetë në asnjë debat, përvec seancave plenare. Ju bëj thirrje të reflektoni sa nuk është vonë. Normaliteti fillon që nga komisionet.

Top Channel