Reklama e një qendre estetike private për ndërhyrjet kirurgjikale në buzë habiti ndjekësit në rrjetin social “Instagram”.
“Investo te femra jote! Buzë që të del shpirti vendit kur i provon”, është slogani promovues, që i cilëson hapur vajzat e gratë si një objekt ku partnerët mund të investojnë.
Ndjekësit reaguan menjëherë, duke treguar zhgënjimin dhe revoltën e tyre për këtë shkrim seksist.
Vetë doktori Skerdi Faria reagoi në një intervistë për emisionin e pasdites, “Ftesë në 5”. Sipas tij, slogani ishte “thjesht një provokim”.
Të ftuarat në studio debatuan ashpër me doktorin. Psikologia Ina Kollçaku thotë se u shokua kur lexoi shkrimin dhe nuk u besonte syve.
Ina: Investo te femra jote?! Pse nuk është te vetja jote, secili bën çfarë të dojë me trupin e vet
Dr. Skerdi: Ashtu me donte kokrra e qejfin.
Ina: Vajza nuk duhet të shkojë vetë, po duhet t’i thotë mashkullit? Duhet të jesh më i ndjeshëm. Pse çfarë jam unë, objekt?
Dr. Skerdi: Për sa kohë përbëhesh nga materie, je dhe objekt, je dhe subjekt. Edhe truri është materie!
Ina: Është materie, jo material…
Moderatorja e pyeti doktorin, nëse rastet ku djemtë apo burrat sjellin partneret e tyre në klinikë dhe paguajnë shpenzimet janë të shumta.
“Është dhuratë që i bën dikujt, nuk është kështu si thoni ju. Në radhë të parë kënaqet ferma, se 3-4 herë do ta puthë atë (partnerin), por e sheh 100 herë veten në pasqyrë, bën foto, e shohin shoqet. Ajo ndihet mirë. Ka gjë më të bukur se të bësh të ndihet mirë një të dashur?”, përgjigjet doktor Skerdi .
Madje, shton se “edhe unë investoj te gruaja ime, i bëj çik botoks, çfarë të keqe ka?!”
Pas kësaj deklarate, Ina Kollçaku u kundërpërgjigj me ironi: “Kur të kem një burrin tim, do vij të investoj te ti, po kam hall mos ma gëzon tjetra”
“Nëse mendon se ta gëzon tjetra, sille prapë, se e shëmtoj sërish”, ia ktheu doktori.
Postimi, të cilin aplikacioni “Instagram” e ka fshirë disa orë më vonë, është në shkelje me rregullat që duhet të ndjekin bizneset në vendin tonë, thotë aktivistja Sevim Arbana.
“Të bësh një reklamë publike për një biznes, ka ca rregulla loje që i vendos shteti. Kemi një reklamën diskriminuese. Shteti duhet ta penalizojë. Është një qasje seksiste e tmerrshme, e sheh femrën si pronë, ndërkohë që femra është e lirë”.
Top Channel