Nëntë ditë pas vendosjes së reciprocitetit të targave ndaj automjeteve serbe dhe tensionimit të situatës në veri, të mërkurën do të takohen delegacioni i Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të tentohet të gjendet një zgjidhje për targat dhe shtensionimin e situatës në brezin kufitar.

Takimin e nesërm për KosovaPress e konfirmojnë nga Qeveria e Kosovës dhe nga Bashkimi Evropian, derisa nuk bëhet e ditur nëse pjesëmarrës në tavolinën e diskutimeve do të jetë edhe ndonjë përfaqësues nga ShBA. Ndërkohë, opozita dhe njohësit e procesit të dialogut kërkojnë që Kosova të ketë qëndrueshmëri dhe mos të heq dorë nga reciprociteti për targat.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke treguar insistimin në vendimmarrjen për reciprocitetin thotë se deri më tani mbi 10 mijë automjete që janë pajisur me targat të përkohshme dhe se deri tani asnjë serb nuk i është ankuar ekzekutivit për këtë vendim.

Në një përgjigje për KosovaPress, Kryeziu thotë se Qeveria ka pranuar propozimin që njësitë shtesë të KFOR-it të zëvendësojnë praninë e Njësisë Speciale të Policës së Kosovës dhe të vazhdojë masa e reciprocitetit,  por përfaqësuesit e strukturave nën direktivat e Beogradit i kanë refuzuar.

“Aty ku është Policia e Kosovës nuk ka as incidente e as dhunë. Të vetmet incidente të shënuar janë ato në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan. Këto janë dëshmi se vendimi për të dërguar Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës në Bërnjak dhe Jarinjë ishte dhe vazhdon të jetë i duhur dhe i drejtë përballë nevojës për të garantuar sigurinë e policëve doganorë dhe institucioneve tona kufitare ashtu sikurse edhe sigurinë publike, të cilat ndryshe do të ishin të rrezikuara. Pra ata janë aty për atë qëllim, e jo për diçka tjetër. Kjo mbështetet edhe për faktin se ne kemi pranuar në parim propozimin e komandantit të KFOR-it që njësitë shtesë të KFOR-it të zëvendësojnë praninë e Njësisë Speciale të Policës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të largohen barrikadat e vendosura nga strukturat organizative atje, nëse veç prezenca e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës i ka nxitur ata që t’i vendosin ato, dhe kështu të rikthehet lëvizja e lirë dhe të vazhdoj zbatimi i vendimit për targa. Por ky propozim nuk është pranuar edhe nga përfaqësuesit e këtyre strukturave, pa dyshim nën direktivat e Beogradit. Duke treguar kështu se qëllimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitet të vendit, e jo brengë e shkaktuar nga prezenca e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës”, thotë ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano një përgjigje për KosovaPress, thotë se do të mbështesin Kosovën dhe Serbinë për deeskalimin e situatës në veri dhe gjetjen e zgjidhje për targat.

“Mund të konfirmojë se takimi i kryenegociatorëve do të mbahet në Bruksel të mërkurën”, shtoi ai.

Megjithëse kërkon qëndrueshmëri nga Qeveria për vendimin për reciprocitet, anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti shprehet kritik se ekzekutivi dialogun po e kthen në vetëm çështje teknike.

“Nuk dua të bëj hipoteza se çka do të bëjë Qeveria e Kosovës, më saktë kryenegociatori ynë për çështjen e reciprocitetit me targa. Kam drojë se në mënyrën si po vepron kjo qeveri, sidomos në politikë të jashtme, e sidomos në relacion me Serbinë, dialogun po e kthen në çështje  teknike. Qeveria nuk ka paraqitur platformë për dialogun, regjimi i Vuçiqit duket se dëshiron status-quo ndërsa qeveria jonë ka rënë në këtë kurth… Sigurisht se duhet të ketë qëndrueshmëri, por kjo qeveria s’po del e qëndrueshme se ka thënë se dialogu nuk është prioritet i saj, ndërsa tash po kërkon dialog”, thotë ai.

Ndërsa, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci thotë për KosovaPress se me rikthimin e palëve në tryezën e dialogut pret që tensionet në veri të ulen.

Sipas tij është me rëndësi që vendimi për reciprocitet mos të kthehet prapa, por palët të rikthehen tek marrëveshja e vitit 2016 për lirinë e lëvizjes dhe mos të ketë nevojë për targa të përkohshme.

“Është me rëndësi që palët u rikthyen në tryezën e dialogut. Natyrisht se tensionet po shkojnë drejt uljes, kjo ka shumë rëndësi. Kohëve të fundit kishim një ndërhyrje të jashtëligjshme të Serbisë brenda territorit të Kosovës përmes avionëve ushtarakë, andaj deeskalimi i situatës është e mirëseardhur për dy palët. Për Kosovën është shumë e rëndësishëm që vendimi tashmë po zbatohet për reciprocitet mos të kthehet prapa…Pasi palët janë rikthyer në dialog nuk ka nevojë që të ndërhyjë KFOR-i. Pres që palët të rikthehen tek marrëveshja e vitit 2016 për lirinë e lëvizjes. Në marrëveshje në atë kohë janë pranuar targat RKS nga ana e Serbisë, por ka pasur disa modalitete të cilat palët tani duhet të merren vesh a do t’i zbatojnë ato”, deklaron Raci.

Takimi i fundit i nivelit të kryenegociatorëve është mbajtur me 7 shtator në Bruksel, derisa, tema e vetme në diskutimit trelateral ka qenë personat e zhdukur me forcë.

Ndërsa, zëvendëskryeministrit Bislimi ka paralajmëruar reciprocitetin për targat ndaj automjeteve serbe në diskutimet me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA