Plagosi studenten në një lokal në Vlorë, lihet në burg Fadil Likaj. Shfaq pendesë dhe kërkon falje para gjykatës

28/09/2021 10:06

Fadil Likaj, autori i plagosjes së 23-vjeçares në qytetin e Vlorës ka mbërritur para gjykatës, ku u dha masa e sigurisë “arrest me burg”.

Likaj mbërriti në gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Seanca u drejtua nga gjyqtar Enkel Peza, ndërsa prokuror i çështjes Klodjan Llaho. Gjatë seancës, Likaj shfaqi pendesë dhe kërkoi falje për ngjarjen.

Fadil Likaj akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj dy ose më shumë personave dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Para disa ditësh, 30 vjeçari dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasen Kostandina Zanaj, studente në qytetin e Vlorës, të cilët dyshohen se kanë patur një lidhje dashurie të mëparshme.

Sipas informacioneve të siguruara mësohet se gjithçka nisi pas një zënke mes djalit e vajzës, të cilët ishin të ulur në vendin e quajtur “Bar Cacai”, lagjja “28 Nëntori”.

Pak minuta më pas ka agravuar situata dhe mësohet se djali ka tërhequr me dhunë për ta nxjerrë jashtë të renë dhe më pas ka qëlluar me armë në drejtim të saj, duke e plagosur në këmbë.

Pas këtij veprimit, i riu ka hedhur edhe një granatë në drejtim të lokalit, e cila fatmirësisht nuk ka plasur.

Top Channel