Deputetët e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për ulje të tensioneve duke kërkuar largimin e njësiteve speciale dhe barrikadat.
Përmes një shkrese ata kanë kërkuar që të palët të riangazhohen në dialog me synim të arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese.
Por, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfecla thotë se njësitet speciale do të largohen nga veriu, vetëm pasi të largohen barrikadat e strukturave paralele.
Veprimet e deritanishme të Kosovës dhe të njësiteve speciale, i ka mbështetur edhe homologu i tij austriak, i cili erdhi në vizitë të mërkurën.
“Aty ku po zhvillohen protesta, gëzohem që policia kosovare po vepron me kujdes edhe pse nuk e kanë detyrën e lehtë. Reagime e fuqishme do të nxisin reagime nga pala tjetër dhe do të krijohej dhunë më e madhe spirale. Ajo që po bëhet tani është rruga e duhur edhe pse nuk është e shpejtë dhe spektakolare”, tha Nehammer.
Se trupat nuk duhet të tërhiqen pa largimin e barrikadave dhe se kjo zgjidhje duhet të prodhohet nga takimi i së mërkurës në dialogun mes dy vendeve në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe pjesëmarrjen e SHBA-ve, e thotë edhe Besnik Vasolli njohës i integrimeve evropiane.
Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen të mërkurën në Bruksel në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për tabelat, e deri atëherë rrugët që qojnë në Jarinjë dhe Bërnjak do të vazhdojnë të jenë të bllokuara, siç ka ndodhur tash e nëntë ditë më radhë.
Top Channel