Patos/ Shkolla u prish nga tërmeti, prindërit refuzojnë të transferojnë fëmijët në një institucion tjetër

27/09/2021 09:26

Ndërsa sot nis zyrtarisht procesi mësimor për shkollat publike, prindërit e 35 nxënësve të arsimit fillor në fshatin Grizë, në Patos kanë ngritur zërin.

Ata janë kundër transferimit të fëmijëve të tyre në një shkollë tjetër në Patos, për shkak se shkolla ku kryenin më parë mësimin ka marrë disa dëmtime nga tërmeti i vitit 2019 dhe ende nuk është rikonstruktuar.

Me thirrjet ‘duam shkollën tonë’, fëmijët të shoqëruar nga prindërit kanë dalë në rrugë dhe nuk pranojnë që të shkojnë në një shkollë tjetër. Sikurse shihet edhe nga pamjet shkolla ka pësuar krisje në afërsi të tavanit, çka do të rrezikonte nxënësit dhe zhvillimin e mësimit aty.

“Fëmijët që shkojnë në patos duhet të kenë një njeri në dispozicion. Ajo ka thënë që një mësues do t’i hipi dhe do t’i zbresi nga autobusi, por kjo është gjë e pamundur sepse ndodh një ditë, një javë, dy javë, sepse një fëmijë i klasës së parë do mbarojë në orën 10 apo 11, një i klasës së tretë më vonë e kështu me radhë. Atëherë ku do rrijë ky fëmijë i klasës së parë do presë këta?” tha mamaja e një fëmije.

Top Channel