Shkodër/Vihet në pranga 33-vjeçari, me armë zjarri dhe lëndë narkotike

26/09/2021 14:59

Një 33-vjeçar që mbante kallashnikov dhe kanabis me vete në Shkodër është arrestuar.

Është sekuestruar arma, një krehër me fishekë luftarakë dhe një sasi kanabis.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponjat” në DVP Shkodër, bazuar dhe në informacionet e marra se një shtetas posedonte armë zjarri dhe sende të kundërligjshme me vete, menjëherë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit për të cilin disponohej informacioni.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë luftarakë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa”, sipas policisë.

Në përfundim të veprimeve, materialet e S. M., 33 vjeç, banues në Ganjollë, Shkodër i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje“ dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel