Partizani ndan pikët më Vllazninë, golit të Da Silvës i përgjigjet Rrapaj

26/09/2021 21:58

Partizani dhe Vllaznia ndanë pikët në kryendeshjen e javës së tretë të Abissnet Superiores në një 90-minutësh shumë të luftuar, ku shkodranët flirtuan me fitoren, ndërsa të kuqtë djersitën shumë për të shmangur humbjen.

Sfida e “Elbasan Arenës” dhuron emocione menjëherë pas vërshëllimës së kryesorit për fillimin e lojës. Në sekondat e fundit të minutës së dytë, Cara i Partizanit kroson në shtyllën e dytë për Juniorin, që godet me kokë, por topi për fatin e mirë të kuqebluve shkon ngjitur me shtyllën.

E menjëhershme kundërpërgjigjja e Vllaznisë (4’), me Latifin që tregon klasin e tij me lëvizjet e zgjuara dhe krosimin perfekt për Da Silvan, që shtyn topin me lehtësi drejt rrjetës, 0-1.

Duhej të kalonte thuajse çerek ore lojë që Partizani të merrte veten nga goditja psikologjike që mori në minutat e para.

Në të 17′ Kaçe ka mundësi të ndëshkojë Vllazninë nga goditja e lirë, por topi i goditur prej tij përfundon në mur. Në të 29-tën, shkon mbi tra tentativa e Tedi Carës fluturimthi, nga jashtë zonës.

Tjetër shans për Kaçen në minutën e 32-të, nga goditja standarde, por Zogovic fluturon në shtyllën e parë, duke devijuar në fundore.

35′ –Latifi, pak çaste më vonë, vë në vështirësi Hoxhën nga distanca, prirët me portën, “gardiani” i kuq e devijon topin mbi tra.

Në të 38′ bën mrekullinë Alban Hoxha, që nuhati gabimin e Malës në kthimin e topit, duke ndalur vrullin e Da Silvës.

Aksion i gjatë dhe i bukur i Partizanit në të 42-tën, që përfundon me goditjen me kokë të Carës, pas krosimit të Markut. Me fat Zogovic, pasi topin shkon drejt e në duart e tij.

Pjesa e parë mbyllet me goditjen e Latifit, kërkon mrekullinë nga një distancë e konsiderueshme, por topi shkon rreth një metër mbi tra.

Partizani ushtron presion në gjysmëfushën e Vllaznisë edhe me fillimin e pjesës së dytë. Në të 62’ portieri Zogovic, vendosur mirë në shtyllën, që kontrollon lehtë tentativën e Shehit.

71′ – Vendimtar devijimi i Adilit, që nxjerr jashtë lojë Juniorin, i gatshëm për të shënuar në shtyllën e dytë.

Partizani ka dëshirë, por qartësinë e duhur në veprimet sulmuese, si në rastin e Juniorit në të 76-ën, që as nuk arrin ta godasë topin drejt portës.

E pabesueshme çfarë pret Zogovic në minutën e 86-të. Flipovic, godiet me kokë nga fare pranë portës, por për fati e keq të të kuqve topi, pasi devijohet nga portieri stampohet në tra.

88′ – Vjen më në fund goli i barazimit. Aksion i gjatë i  të kuqve, Rrapaj, godet fluturimthi në hyrje të zonë, me Zogovicin që mbetet i palëvizur, 1-1.

Të kuqtë, të nxitur nga entuziazmi i golit të barazimit ngulmuan për të realizuar përmbysjen e madhe, por nuk pati më ndryshim rezultati, me të dyja skuadrat që morën atë që merituan, kuptohet që kuqeblutë kthehen të keqardhur në Shkodër për dy pikë të humbura në fundin e takimit.

Formacionet zyrtare:

Trajneri Ilir Daja u ka besuar nga minuta e parë dy ish-ëve të Vllaznisë si Dajan Shehi dhe Herald Marku, ndërsa Thomas Brdariç nuk i ndryshon asgjë formacionit të tij tip, me të cilin ka nisur edhe dy ndeshjet e para të kampionatit.

Partizani: Hoxha; Gligorov, Belica, Shehi, Musta; Mala, Marku, Kaçe; Cardozo, Cara, Stenio Junior

Vllaznia: Zogoviç; Kruja, Gurishta, Adili, Hakaj; Krymi, Jonuzi, Heriç; Latifi, Da Silva, Aralica

– Mes Partizanit dhe Vllaznisë luhet sfida numër 162 në histori, ku klubi kryeqytetas ka një avantazh të dukshëm me 72 fitore, kundrejt 48 të shkodranëve dhe 41 barazimeve. Sezonin e kaluar të dy ekipet u përballën 4 herë, me Vllazninë që fitoi dy ndeshje dhe barazoi dy ndeshje të tjera.

– “Të kuqtë” vijnë në këtë takim në vendin e 6, me vetëm një pikë në dy ndeshje, ndërsa shkodranët pozicionohen të 5-tët me 4 pikë, por mund të ngjiten përkohësisht në krye, nëse marrin një fitore sonte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA