Nga Italia në Divjakë/ Yen nga Vietnami përshkon Europën mbi biçikletë

26/09/2021 19:52

Yen, me origjinë nga Vietnami është një turiste e veçantë në Shqipëri. Pasi i ka hipur avionit në Londër së bashku me biçikletën e saj, ajo ka zbritur në Piza dhe ka përshkruar plot 3 mijë km për të arritur deri në Divjakë.  Në qytetin e Divjakës menjëherë tërheq vëmendje fakti që ajo është e vetme në këtë udhëtim, por Jen thotë se është mikpritur nga të gjithë:

“Kam udhëtuar veriun e Italisë, më pas në Kroaci, Bosnjë dhe Mal të Zi. Shqipëria është vendi i pestë që vizitoj. Ishte një rastësi ardhja këtu. Në Itali takova një tjetër çiklist, me origjinë shqiptare, i cili më tha se duhet të vija patjetër dhe ja ku jam. Jam mahnitur nga mikpritja. Njerëzit më kanë pritur në shtëpitë e tyre, kur nata më ka zënë rrugës me biçikletën time.

Edhe pse nuk flisnim të njëjtën gjuhë, ne e gjenim mënyrën për të komunikuar dhe kjo i bën udhëtimet kaq të veçanta për mua. Këtu në Divjakë, pata mundësinë të bëja një xhiro me skaf rreth lagunës dhe ishte fantastike. Por, më lejoni t’ju them se nuk kam mbaruar akoma me Shqipërinë dhe do qëndroj edhe disa ditë të tjera këtu.”

Plani i Jen është që të shkojë drejt Maqedonisë së Veriut, mes për mes Shqipërisë dhe destinacioni i saj final është Greqia, ku më pas do ti hipë avionit për tu rikthyer sërish në Londër. Nga Shqipëria, mbresat e saj ishin të shumta.

Top Channel