Masat kufizuese ndaj COVID-19 që kanë hyrë në fuqi, kanë rënduar edhe më tej gjendjen në sektorin e turizmit.
Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë(UTK), Baki Hoti thotë për KosovaPress, se pandemia po shkatërron turizmin në vend, derisa kërkon nga institucionet të gjejnë modalitetet për t’i dalë në ndihmë këtij sektori.
“Pandemia ka shkatërruar sektorin e turizmit, edhe në këtë gjendjen me masat e reja nuk është gjendja aspak e mirë, bizneset kanë filluar të reduktojnë edhe stafin, kufizimet e kohës janë ato që obligojnë negativisht. Shumë sektor nuk janë duke punuar fare”, thotë ai.
Sipas tij, në bazë të një hulumtimi që e kanë bërë, pandemia COVID-19 ka shkaktuar 92 përqind dëme në sektorin e turizmit.
“Kemi bërë një hulumtim për ndikimin e pandemisë Covid-19, ku kemi publikuar dhe ka pas në sektor të turizmin ka shkuar deri në 92 përqind që ka bërë dëme. Niveli më i ulët ka qenë 53.3përqind. Kjo ka treguar dëmet dhe gjendjen që ka shkaktuar pandemia. Përndryshe çdo mbyllje shkakton probleme dhe dëme, por si do që të jetë, ky sektor konsideron se shëndeti i qytetarëve është prioritet i prioriteteve”, shton Hoti.
Duke marrë parasysh këtë gjendje të rënduar, Hoti kërkon ndihmë konkrete nga institucionet e vendit.
“Duhet analizuar dhe diskutuar edhe pjesa e hapjes dhe mbylljeve. Shteti duhet të jetë ai që gjen forma dhe mënyra që ti mbështes këto biznese dhe këtë sektor. Kemi forma të ndryshme që mundet të mbështet ky sektor, pasi dihet që sektori i turizmit është dëmtuar shumë. Nuk kemi mbështetje nga institucionet, por duhet të gjendet një modalitet që sakrifica e këtyre bizneseve të gjejë mbështetje institucionale”, deklaron ai.
Ndërkohë një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Turizmit, Kosova ende nuk ka ligj për turizmin dhe strategji për zhvillimin e tij.
Top Channel