Jo mësues të pavaksinuar në shkolla/ Ministria e Arsimit: të zëvendësohen ata që nuk sjellin tamponin negativ

26/09/2021 19:32

Mësuesit e pavaksinuar nuk do të zhvillojnë mësim ditën e hënë nëse nuk paraqesin tamponin negativ, deklaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit për Top Channel, ndërsa drejtoria e shkollës duhet të marr masat për zëvendësimin e orëve të mësimit me një mësues tjetër. Më tej Ministria sqaron se në mënyrë kategorike nuk do të ketë mësim online për këto raste.

Por Brunilda Hoxha, mësuesja e re e matematikës në një shkollë 9-vjeçare private është kundër vaksinimit të detyruar për arsimtarët.

“Nuk e kam bërë ende vaksinën  sepse s’jam e bindur për efektivitetin e vaksinës”.

Edhe pse në datë 27 shtator nis viti i ri shkollor, ajo vijon të jetë e pavaksinuar dhe alternativa për të paraqitur testin e përjavshëm me rezultatin negativ që nuk është e infektuar, nuk i duket zgjidhje.

“Unë punoj për të marr një pagesë në fund të muajit. Dhe nëse bëj çdo javë tamponin është shumë e kushtueshme”.

Top Channel