Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot 30-vjetorin e referendumit për pavarësinë e Kosovës, duke thënë se ishte hapi përmbajtësor dhe paraprijës i 17 shkurtit 2008.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se e tashmja nuk ka kuptim pa e kujtuar të kaluarën, duke njohur kontributin e shumë burrave e grave të këtij vendi për shtetin që e kemi sot.
“Tridhjetë vjet më parë, përcaktimi politik i shprehur me Referendumin për pavarësi të Kosovës nga Serbia, ishte hapi përmbajtësor pas Deklaratës së 2 Korrikut, Kushtetutës së Kaçanikut dhe së fundi paraprijës i 17 shkurtit të vitit 2008”, shkruan Osmani.
Postimi i plotë:
Tridhjetë vjet më parë, përcaktimi politik i shprehur me Referendumin për pavarësi të Kosovës nga Serbia, ishte hapi përmbajtësor pas Deklaratës së 2 Korrikut, Kushtetutës së Kaçanikut dhe së fundi paraprijës i 17 shkurtit të vitit 2008.
Më 26 shtator të vitit 1991, rrugëtimi i Kosovës mori kahun e synuar ndër breza, drejt bërjes shtet nën udhëheqjen e urtë të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova.
Në këtë përvjetor, i kujtojmë me respekt të gjithë ata që organizuan Referendumin, një nga ngjarjet, e cila i vuri themelet e para të shtetit të Kosovës!
E tashmja nuk ka kuptim pa e kujtuar të kaluarën, pa e hedhur vështrimin prapa në rrugën në të cilën kemi ecur, duke njohur njëkohësisht kontributin e shumë burrave e grave të këtij vendi për shtetin që e kemi sot!
Top Channel