Regjistrimi i nxënësve në shkollat fillore këtë vit po kryhet nëpërmjet portalit digjital të shërbimeve publike ‘e-albania’ me synimin që procesi të jetë sa më i lehtë për prindërit.

Sipas udhëzimit të Ministrissë së Arsimit nxënësit lejohen të regjistrohen në institucionin arsimor publik që mbulon vendbanimin e e tyre bazuar në një hartë përgatitur nga njësitë e vetqeverisjes vendore. Në rastet kur shkollat kanë kapacitete të mjaftueshme, ato mund të regjistrojnë edhe nxënës jashtë zonës së banimit mbi bazën e arsyeve të legjitimuara.

Por sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut në Elbasan në praktikë arsyet e legjitimuara kanë qenë çfarëdo, duke sjellë segregimin e fëmijëve nga komunitete të margjinalizuara.

“Shumë shkolla – kryesisht ato me infrastrukturë më të mirë i mbushën kapacitetet e tyre me nxënës të mazhorancës, ndërsa disa të tjera me infrastrukturë të amortizuar, përveçse nuk kanë plotësuar numrin për hapjen e një klase, dhe ata nxënës të regjistruar i kanë vetëm të komunitetit rom dhe egjiptjan, duke krijuar kështu klasa të segreguara,” shprehet Lëvizja Rinore Egjiptjane Rome në Elbasan, LRER, në një letër publike dërguar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi me 3 shtator.

Sipas LRER disa shkolla në Elbasan, si shkollat 9-vjeçare si Sulë Misiri, Ptolome Xhuvani dhe Hamit Mullisi tashmë etiketohen si shkolla të romëve dhe egjiptjanëve.

E pyetur nga BIRN nëpërmjet një kërkesë të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, Zyra Vendore Arsimore në Elbasan pranoi se kishte pasur shumë shkolla ku më shumë se gjysma e fëmijëve që janë regjistruar në shkollë fillore janë jashtë vendbanimit.

Zyra Arsimore theksoi se procesi i regjistrimit nëpërmjet e-Albania kishte sjellë një seri problemesh të paparashikuara. Për shembull, disa rrugë nuk përfshiheshin në hartën e mbulimit të territorit të miratuar nga Njësia e Vetqeverisjes Vendore. Gjithashtu, një pjesë e prindërve në Elbasan kanë pasur probleme në regjistrimin online, pasi në sistem nuk iu shfaqën rrugët përkatëse të vendbanimit të tyre, duke i shtyrë shkollat të regjistronin fëmijë jashtë vendbanimit.

ZVA Elbasan shpjegoi se shkollat regjistruan nxënës jashtë juridiksionit të tyre duke marrë në shqyrtim kërkesën e prindërve në rast kur ky i fundit ka ndryshuar adresën, kur e ka punën afër shkollës, nxënësi ka motra ose vëllezër që ndjekin mësimin po në atë shkollë, ose në rastet kur prindërit janë të divorcuar dhe një prej tyre jeton në vendbanimin e gjyshërve.

Megjithatë, Zyra Arsimore mohoi se fëmijët e komuniteteve të rom dhe egjiptian të jenë të diskriminuar.

“Nga ZVAP Elbasan nuk është ndjekur asnjë praktikë e cila të sjelli diskriminim por gjithmonë është ofruar mbrojtje nga çdo formë veprimi apo mosveprimi të cilat mund të krijojnë pabarazi apo diskriminim,” tha ajo.

Të dhënat e 7 shkollave me infrastrukturë të mirë të analizuara nga BIRN tregojnë se 70 % e nxënësve të regjistruar në klasë të parë janë jashtë zonës së vendbanimit, përfshirë shkollën ‘Ali Agjah’ kur 51 nxënësit e regjistruar këtë vit në klasë të parë janë të gjithë jashtë vendbanimit.

Ervis Çota, drejtues i shoqatës LRER, i tha BIRN se harta e juridiksionit e miratuar nga bashkia nuk ka qenë e plotë dhe mund të përbëjë një pjesë të arsyes për ndarjen jo të drejtë të nxënësve, por ZVA si institucion përgjegjës dhe mbikqyrës i procesit nuk duhet të lejonte mbifryrjen e disa shkollave me nxënës jashtë juridiksionit.

“Arsyet e prindërve nuk mund të konsiderohen të gjitha të legjitimuara ndërkohë që ka shkolla në qytet që nuk kanë mundur të plotësojnë as numrin minimal për të hapur një klasë ndërkohë që ka edhe të tjera që kanë më shumë se dy klasa me numrin maksimal të nxënësve,” tha Çota.

Ai theksoi së në në shkollën Sul Misiri tashmë kishte klasa totalisht të segreguara me fëmijë vetëm të komunitetit rom dhe egjiptian.

E kontaktuar nga BIRN drejtuesja e shkollës ‘Sul Misiri’ tha se kjo situatë është krijuar edhe për faktin e mungesës së investimit në ambientet e shkollës.

“Ne kemi brenda të njëjtit juridiksion edhe një shkollë tjetër siç është Jorgji Dilo, e rikonstruktuar së fundi,” shpjegoi ajo. “Normalisht që prindërit do të zgjedhin atë shkollë dhe jo shkollën tonë që nuk ka kushtet e duhura për zhvillimin e mësimit”

Sipas Ervis Çotës klasat e segregura me fëmijë vetëm nga komunitet e margjinalizuar mund venë në pikëpyetje të ardhmen e tyre.

“Me shumë gjasa në këto klasa të segreguara do të fillojë braktisja e shkollës,” tha ai. “Nëse nuk do të ndërhyhet tani për të shmangur këtë fenomen, nesër do jetë tepër vonë,” përfundoi Çota./Reporter/

Top Channel