Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se nga e hëna e 27 shtatorit, do të nis procesi mësimor në institucione parashkollore dhe qëndrimit ditor.
Kurse, klientët dhe stafi i gastronomisë, duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë siç është certifikata e vaksinimit ose ndonjërin nga testet për COVID-19, në mënyrë që të iu lejohet hyrja dhe shërbimi në hapësirat e mbyllura. Ministrit Arben Vitia në një konferencë për media, tha se kujdesi i vazhdueshëm duhet të na përcjellë.
Sipas tij, vendimet e marra MSh i ka bashkërenduar me palët e interesit të cilët kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga pandemia dhe janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Është vendosur, ashtu siç kemi thënë edhe dje që duke filluar nga data 27 shtator, procesi mësimor në institucione parashkollore dhe qëndrimit ditor të vazhdojë në përputhje me udhëzuesit e veçantë për institucionet arsimore të të gjitha niveleve. Procesi mësimorë në institucionet e arsimit parauniversitar zhvillohet sipas skenarëve përkatës të përcaktuar në udhëzuesin për institucionet e arsimit, mirëpo parakusht për mësimin me prani fizike e jo më shumë se 20 nxënësve në klasë. Sa i përket gastronomisë, nga data 27 shtator, klientët dhe stafi duhet të posedojnë njërën nga dëshmitë siç është certifikata e vaksinimit ose ndonjërin nga testet për COVID-19, në mënyrë që të iu lejohet hyrja dhe shërbimi në hapësirat e mbyllura. Nga data 27 shtator në gastronomi, në hapësira të mbyllura lejohet shfrytëzimi i hapësirave të mbyllurave 50 përqind, kurse në hapësirat e jahstme lejohet shfrytëzimi deri në 70 përqind. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetet e tyre nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00. Ndërkaq, shërbimet dërgesë me porosi lejohen edhe pas orës 22:00”, tha Vitia.
Vitia u ndal edhe te masat e reja për qendra tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomik.
“Klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendrën e thirrjeve, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë me lartë që t’iu lejohet hyrja në objekt. Këto dëshmi vlejnë edhe për punën me palë në institucione publike dhe private, ku punonjësit që ka punë me palë dhe kontakt të drejtpërdrejt me klientë, duke mos përjashtuar edhe berberët, punonjësit e maketeve, banka dhe kategori të tjera. Me masat e reja në aktivitetet sportive garuese, në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 10 përqind të kapacitetit të objektit duke respektuar masën prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme, lejohet prania e shikuesve deri në 30 përqind të hapësirës sportive, duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masa tjera mbrojtëse distancës. Shikuesit duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura, pra kartelën e vaksinimit ose dëshminë e testit COVID-19”, tha ai.
Sipas tij, deri tash mbi 40 e popullatës janë vaksinuar me të dyja dozat, ndërsa me nga një dozë janë vaksinuar mbi 60 përqind të popullatës. Ai derisa bëri apel për vaksinim, tha se deri në fund të këtij muaji janë edhe 100 mijë terminë të lira për t’u vaksinuar.
“Vazhdimisht do të bëhen testime të nxënësve dhe mësimdhënësve nëpër shkolla, por kryesisht nëpër shkolla ku ka më tepër nxënës sepse natyrisht aty edhe mundësia e madhe e shpërndarjes së infeksionit. Sa i përket fushatës zgjedhore, shfrytëzojë rastin të bëjë thirrje që të gjithë t’i respektojmë masat, janë 20 persona në ambiente të mbyllura dhe 50 persona në ambiente të hapura, duke ruajtur distancën dhe me maska. Nga masat që i kemi marrë sot të gjithë ata që marrin pjesë në fushatë zgjedhore në ambiente të brendshme duhet të jenë të vaksinuar ose duhet të kenë testet”, tha ai, duke shtuar se do të jetë në fushatë zgjedhore në atë moment që nuk do të jetë ministër.
Vitia tha se varësisht nga situata epidemiologjike, në javët e ardhshme do të vendosin për shtrëngimin apo lehtësimin e masave.
Top Channel